Lajçak të mërkurën viziton Prishtinën e Beogradin
BKT
Foto:Arkiv
Lajme

Lajçak të mërkurën viziton Prishtinën e Beogradin

M.Shefkiu/RTKlive

Pas amerikanit Gabriel Escobar, i cili po qëndron në Kosovë, nesër në Prishtinë pritet të qëndrojë edhe evropiani Mirosllav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi. Ardhjen e këtij të fundit e ka paralajmëruar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se Lajçak do të vizitojë Beogradin e Prishtinën, për të gjetur mënyrën për uljen e tensioneve.

Sipas Borrell, situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Borrell, konfirmoi gatishmërinë e BE-së që në rast nevoje të dërgojë përforcim për misionin e EULEX-it në Kosovë.

Shefi i BE-së, situatën në Kosovë e cilësoi të rrezikshme, ndërsa sulmet ndaj EULEX-it i vlerësoi si të papranueshme. 

Ardhja e dy emisarëve, pason tensionimin e situatës në veri, me ngritje barrikadash nga serbët lokalë dhe kundërshtimin e zgjedhjeve për kryetarë komunash. Situata ka eskaluar kryesisht nga data 6 dhjetori, ku janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, ku përveç Policisë së Kosovës është sulmuar edhe policia e EULEX-it.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar sulmin terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në veri. Ndaj tij u caktua një muaj paraburgim më 12 dhjetor, ndërsa reagime pati edhe në Beograd. Vet presidenti serb, Aleksander Vuçiq kka thënë se barrikadat hiqen nga rrugët kur të burgosurit lirohen. 


MË SHUME NGA Lajme