Rrugët në veri të vendit mbeten të bllokuara
RTKlive
Për të katërtën ditë me radhë në veri të Kosovës disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan. Ndërsa vazhdojnë thirrjet e diplomatëve perëndimorë për heqjen e tyre dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.
Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë sikurse edhe në ditët e kaluara, rrugët që çojnë në dy vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veriun e vendit vazhdojnë të mbahen të bllokuara.
Disa serbë lokalë në komunat në veri të vendit, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.























