Bumçi në SPAK për çështjen `Gërdeci`
BKT
Shqipëri

Bumçi në SPAK për çështjen `Gërdeci`

ATSH

Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi ka dëshmuar sot në SPAK për çështjen e Gërdecit.

Në një deklaratë për mediat pas marrjes në pyetje, Bumçi u shpreh se shkresa për Shkëlzen Berishën me emrin e tij është e falsifikuar.

Ai tha se “qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të miat si Ministër Drejtësie janë të dokumentuara në qëndrimet publike që ne kemi mbajtur në atë kohë”.

“Në mbledhjen e parë të qeverisë, vendimi i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për Gërdecin nuk miratohet. Ministria e Drejtësisë kishte një sërë vërejtjesh dhe vendimi nuk miratohet. Atëherë vendosëm kontaktin mes dy ministrive që ato të merrnin parasysh vërejtjet ligjore që ne kishim. Pas pasqyrimit të këtyre vërejtjeve, Ministria e Drejtësisë nuk kishte më vërejtje për projektvendimin e dytë se i morën parasysh të gjitha vërejtjet tona. Dhe kjo pasqyrohet në qëndrimin zyrtar që ne i dërgojmë Ministrisë së Mbrojtjes që nuk kemi vërejtje. Siç e ka Ministria e Drejtësisë, e Mbrojtjes, e qeverisë, por besoj edhe organet e drejtësisë, nuk po flas për ta, po flas për pjesën tonë, përgjigjet e dërguara nga ne nuk ka asnjë shënim të tillë. Kjo është me datë, me numër protokolli dhe kronologjia është shumë e saktë dhe e qartë, sepse vendimi është trajtuar më 12 dhe jo më 1. Dhe pasi ne i kemi çuar Ministrisë së Mbrojtjes qëndrimin tonë zyrtar që nuk kemi më vërejtje sepse ata i kishin marrë parasysh vërejtjet e një mbledhje më parë, del një shkresë që ka një shënim në anë për zotin Shkëlzen Berisha. Kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi të thjeshtë logjik. E para, kronologjia e ngjarjes. Ministria e Mbrojtjes e kishe përgjigjen tonë disa ditë më parë sesa shkresa që kishte shënimin për zotin Shkëlzen Berisha. Pra e kishte ministria, madje dy përgjigje, jo një, nga takimet dhe pastaj zyrtarisht. Nuk kishte nevojë për shkresë tjetër në Ministrinë e Mbrojtjes, kur ata e kishin shkresën. Çështja e dytë: Nëse unë kisha nevojë, që nuk kishte as takim, dhe as kërkesë, por nëse unë kisha nevojë të komunikoja me zotin Shkëlzen Berisha do e bëja këtë me faks nga Ministria e Mbrojtjes? Për t’i thënë çfarë? Që s’kemi vërejtje? Për të thënë këtë mund ta bësh me telefon, mesazh. Nuk ke nevojë ta çosh me faks për Shkëlzen Berisha. Ministria i kishte shkresat dhe nuk kishte nevojë për një tjetër. E dyta, edhe një logjikë fëmijësh e kupton që unë nuk kam nevojë të komunikoj me zotin Berisha nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes për t’i thënë që nuk kemi vërejtjes sepse mund ta bëj me çdo mjet tjetër të thjeshtë, por nuk kishte nevojë për atë gjë. Shënimi në cepin e shkresës për zotin Shkëlzen Berisha. Ministri i Drejtësisë si çdo ministër tjetër, lë shënime në qindra dhe mijëra shkresa në dorë për vartësit e tij, punonjësit, të shqyrtohet, trajtohet. Këto shënime të mia janë në shkresat e ministrisë që unë kam shërbyer. Çdo njeri ka shkrimin e tij të dorës. Nuk ishte as imitim i shkrimit tim. Ishte qartësisht një shkrim tjetër”, u shpreh Bumçi.

I pyetur nëse kishte kërkuar në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë që ky dokument të shpallej i pavlefshëm, Buçi tha se “çështja nuk u shqyrtua kur isha ministër, çështja u shqyrtua kur isha deputet i thjeshtë në vitin 2008. Unë jam larguar si ministër në mars të 2007-ës”.

“Unë kam dalë publikisht dhe kam marrë dy akte. Si përgjegjësi politike dhe morale kam dalë me një qëndrim në Kuvend dhe kam rreshtuar të gjitha këto fakte përmbledhësi dhe kam bërë një kallëzim penal në atë kohë që kamë kërkuar të hetohet koligrafia. Shkrimi nuk është as imitim i shkrimit tim. Atëherë të gjitha këto fakte, qëndrimi ynë në mbledhjen e parë, kronologjia e ngjarjeve, fakti se ministria kishte përgjigjen disa ditë më parë. Çështja që unë të bisedoja me zotin Berisha nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes e palogjikshme, për të thënë që nuk kam vërejtje e bën njeriu me mjete të tjera. Dhe shënimi nuk pati asnjë hetim të mëtejshëm pas kallëzimit. Pse prokuroria nuk e ndoqi atë çështje në vitin 2008?”, tha ai.

“Nga media opozitare unë mora vesh se kishte një shkresë me atë shënim, jo nga organet e drejtësisë. Kjo ishte një çështje që kërkonte të lidhte të gjithë, kryeministrin Berisha me  këtë çështje dhe u falsifikua një shkresë e cila nuk i qëndron asnjë këndvështrimi përmbajtjesor kronologjik, logjikë të thjeshtë dhe shkrimi. Kjo ishte për të goditur para zgjedhjeve 2009 Berishën. Për të  krijuar një lidhje të paqenë me anë të birit. Dhe kjo vërtetohet dhe sot. Kush iu ftoi ju sot?. Ata që e përdorën çështjen në vitin 2008 me anë të  një shkrese të falsifikuar që nuk i shkuan në fund”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse ka keni pasur kontakte me Shkëlzen Berishën si ministër i Drejtësisë, Brumçi tha se “unë me zotin Berisha jam njohur për herë të parë kur u angazhova në PD, 2004-2005 dhe takimet e mija me Berishën kanë qenë strikt përherë, kryesisht me fushat politike, dhe asnjëherë për çështje të qeverisjes dhe ekzekutivit”.

“Nuk i druhem asnjë çështjeje penale. Kjo çështje nuk qëndron nga përmbajtja, kronologjia, komunikimi, falsifikimi dhe kjo u kthye në një çështje para fushatës 2009 dhe përdorimi vazhdon që të jetë i njëjtë. Kam bërë kallëzim penal për këtë çështje para 14 vitesh”, tha ai.


MË SHUME NGA Shqipëri