Ponosh: Deklarata e Vuçiqit për kthim të ushtrisë, histori e çmendur
B. Halimi / RTKlive
Njëri nga liderët opozitar në Serbi, Zdravko Ponosh, ka thënë se paralajmërimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se do t’i dërgojë kërkesë KFOR-it për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë ka qenë vetëm për konsum të brendshëm dhe se nuk ka të bëjë asgjë me realitetin.
“Epo vetë Vuçiq tha se kjo thirrje nuk do të japë fryte dhe pastaj lind pyetja pse po e bën? Ai po e bën këtë për përdorim të brendshëm politik, që të mbetet e shënuar se edhe kjo është tentuar”, ka thënë Ponosh për gazetën e sotme ‘Nova’.
Siç tha ai, kjo deklaratë e presidentit serb "nuk shërben asgjë tjetër veçse të ushqejë pritshmëri jorealiste, të poshtërojë dhe manipulojë njerëzit që qëndrojnë në barrikada dhe ngrijnë nga të ftohtit".
“Dhe edhe nëse do ta lejonim, çfarë do të bënim me të? Në Rezolutën 1244 thuhet se mund të kthehen disa qindra njerëz për misione në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes së kufirit, deminimit... Nuk do të kishte patrullim në rrugët e Prishtinës dhe të Mitrovicës, ajo histori është e çmendur”, ka shtuar Ponosh.
Deklarata e Vuçiqit se do të dërgojnë kërkesë në KFOR për kthimin e ushtrisë në Kosovë u dënua ashpër nga faktori ndërkombëtar. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se shteti i tij e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.























