Lajçak deklarohet pas takimit me Vuçiq: Ai e kupton seriozitetin e situatës
Jeton Musliu/RTKlive
(E plotësuar) Pas takimeve që pati në Beograd, me drejtuesit e lartë të shtetit serb, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, publikoi një cicërimë në rrjetin social Twitter.
“Kishim një diskutim të hapur e të sinqertë për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të lejonte largimin e barrikadave”, shkroi Lajçak.
“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, tha Lajçak, duke iu referuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka publikuar edhe dy fotografi ku është edhe i ngarkuari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Euro-Azi, Gabriel Escobar.

Emisarët në Beograd, temë kryesore situata në veri të Kosovës
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, fillimisht u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe pastaj atyre iu bashkua Gabriel Escobar, i dërguari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Pas takimit dypalësh me Miroslav Lajçak, pasoi takimi trepalësh i presidentit Aleksandër Vuçiq, zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit Gabriel Escobar dhe Lajçakut.
Gjithashtu Escobar do të takohet dhe me kryeministren Ana Bërnabiq dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.
Deklarata për media, sipas paralajmërimeve nga Presidenca serbe, nuk do të ketë.
Siç raportohet, tema kryesore e takimit është situata në veri të Kosovës dhe zgjidhja për krizën aktuale, për shtensionimin e situatës, zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, si dhe çështja e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Sipas vlerësimeve, ardhja e Miroslav Lajçakut dhe Gabriel Escobar-it në Beograd do të jetë në funksion të qetësimit të tensioneve dhe zgjidhjes së problemeve në Kosovë.
Beogradi zyrtar, edhe pse mohon se qëndron mbrapa vendimit për barrikada, thekson se serbët kanë bllokuar rrugët për shkak të arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq dhe disa serbë të tjerë, si dhe për moszbatimin e Marrëveshjes se Brukselit.
Takimi Escobar-Vuçiq-Lajçak, mbahet sot në mesditë në Beograd
J.Musliu/RTKlive
Pas qëndrimit në Kosovë dhe takimeve me krerët më të lartë shtetëror si dhe ata të partive politike, i ngarkuari amerikan me çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Euro-Azisë, Gabriel Escobar, si edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë udhëtuar drejt Serbisë.
Sot (e merkurë) ata pritet të kenë takime me zyrtarë të lartë të shtetit serb, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në njoftimin zyrtar të lëshuar për media nga presidenca e Serbisë, shkruan se takimi do të mbahet në orën 12:45 minuta.
Në këtë takim trepalësh, do të diskutohen zhvillimet e fundit që lidhen kryesisht me veriun e Kosovës dhe barrikadat e vendosura nga ana e serbëve lokalë, por të cilët dirigjohen nga Beogradi zyrtar.























