Policia e Kosovës demanton pretendimet serbe për rastin Pantiq
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Policia e Kosovës ka demantuar pretendimet e personave e disa mediave, kryesisht serbe, për rastin e ish-policit Dejan Pantiq të arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, përfshirë edhe siç kanë thënë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore.
“I njëjti është trajtuar mjaft mirë, konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu, Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar”, thuhet në komunikatën policore.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë mesjavë gjendja vazhdon të jetë e njëjtë në pjesën veriore të territorit të Kosovës, derisa pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
E mbyllja e këtyre dy pikave kufitare sipas, policisë ka ardhur për shkak të vendosjes së barrikadave.
“Edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale”, thuhet në komunikatën e policisë.
Sipas tyre, aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve.
Tutje, Policia thotë se duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit.
“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime”.
Katër policët e bllokuar në veri, dërgohen në Leposaviq |Foto
V.Xhoxhaj & J.Musliu/RTK
Situata e sigurisë sot në Mitrovicë është e qetë. Ndërkohë, rrugët vazhdojnë të mbesin të bllokuara drejt pikave kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë e Bërnjak.
Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga Besim Hoti, Zëvëndëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit.
Në anën tjetër, katër pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë nga Prizreni, të cilët ishin të bllokuar për katër ditë rresht në veri të Kosovës, për shkak të barrikadave, konfirmohet se kanë arritur të zhvendosen në stacionin policor të Leposaviqit.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policorë të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, tha Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, në deklarim për RTKlive.
Lajmi në polotësim...

























