Haradinaj nderon Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e kombit
E.Hoti/RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varri i heroit Mujë Krasniqi dhe 41 bashkëluftëtarëve të UÇK-së.
Haradinaj tha se 14 dhjetori, ishte ndër ditët më të dhimbshme të luftës çlirimtare.
“Në 24 - vjetorin e rënies së heroit Mujë Krasniqi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt, bëmë homazhe në nderim të veprës heroike të tyre. 14 dhjetori, ishte ndër ditët më të dhimbshme të luftës çlirimtare.
Teksa sot bëjmë nderim te varret e Mujës dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, ndjehemi krenarë që i kishim bashkëluftëtarë, ndjehemi krenarë sepse pikërisht në ditën e rënies së tyre, themeluam Ushtrinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.
Haradinaj ka thënë se Mujë Krasniqi, i këndoi lirisë, e në kërkim të saj bashkë me trimat ranë tek kufiri që nuk ekziston më.
“Me këngën e tij, Mujë Krasniqi përçoi porosinë e të parëve tanë për atdheun e lirë. Por me këngë edhe ju printe betejave e u jepte zemër, shpresë e besim për fitore luftëtarëve të lirisë.
Mujë Krasniqi, i këndoi lirisë, e në kërkim të saj bashkë me trimat ranë tek kufiri që nuk ekziston më.Vepra e tyre madhore na shërben si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme në forcimin e shtetit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Krasniqi: Sakrifica e komandant Kapuçit, përherë në mbamendje historike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli krasniqi ka kujtuar sot komandantin e Brigadës 113-të të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi, dhe 41 bashkëluftëtarët e tij, të cilët 24 vite më parë ranë heroikisht në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar, në Gorozhup të Pashtrikut.
Kryetari i PDK-së ka thënë se sakrifica emblematike e komandant Kapuçit, do të mbetet përherë në mbamendjen historike të popullit të Kosovës.
“Sakrifica emblematike e Komandant Kapuçit, i cili përkundër plagëve të pashëruara në trup, bashkë me bashkëluftëtarë priu në frontin e luftës, do të mbetet përherë në mbamendjen historike të popullit të Kosovës, në luftën tonë shekullore për liri e pavarësi.
Lavdi e përjetshme për jetën dhe veprën e të gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.























