PDK fajëson LVV për bojkotim të Projektligjin për pensionim të policëve
BKT
Foto: Qendresa Duraku
Lajme

PDK fajëson LVV për bojkotim të Projektligjin për pensionim të policëve

RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbajti konferencë për media në të cilën, deputetja Ganimete Musliu dhe deputeti Rashit Qalaj, akuzuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për dështimin e Projektligjit për Pensionet e Zyrtarëve Policorë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Sipas deputetes Musliu, bojkotimi i këtij projektligji nga ana e partisë në pushtet po ndodh sepse këtë projektligj e ka hartuar Partia Demokratike e Kosovës.

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dështimin tri herë radhazi të Komisionit për Çështje të  Sigurisë dhe Mbrojtjes,  për të proceduar me Projektligjin Nr.08/L-160 që  rregullon Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.  Që nga 17 Nëntori 2022, me bojkotimin e Lëvizjes Vetëvendosje në tri mbledhje radhazi është pamundësuar kourumi që të votohet në parim ky projektligj dhe ti dërgohet seancës. Ky bojkotim i partisë në pushtet erdhi vetëm nga inati se këtë projektligj për Policinë e Kosovës e ka hartuar Partia Demokratike e Kosovës”, tha ajo, pos tjerash.

Musliu njoftoi se me këtë projektligj janë propozuar katër lloje  të pensioneve : i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti dhe deputetëve të Vetëvendosjes që t'i lënë anash inatet politike dhe ta mbështesin miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës.

“Kurajo dhe angazhimi që ata kanë treguar së fundmi është tregues i qartë se ne kemi zyrtarë të gatshëm për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor në tërë territorin tonë. Por, gjithçka që u duhet është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre. Mosplotësimi i tërësishëm i nevojave dhe kërkesave të Policisë së Kosovës deri më tani është shqetësues ...”, tha Musliu.

Kurse, deputeti Rashit Qalaj tha se PDK do të insistojë që ky projektligj të kalojë.

“Ky ligj t’i mundësojë Policisë së Kosovë që t’i rris kapacitetet operacionale të saj gjithmonë duke pasur në konsideratë që policët e Kosovës që janë në moshë të shtyer dhe ata me sëmundje të rënda të dalin sa më shpejtë në pension, ta kenë një pension të dinjitetshëm dhe gradualisht me pensionimin e tyre të rekrutohen gjenerata të reja të kadetëve policorë në Policinë e Kosovës”, tha Qalaj.

Po ashtu, PDK kërkon që Qeveria të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor të Policisë së Kosovës.

“Përvec Ligjit për Pensionim të Parakohshëm të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor, gjithmonë duke pasur parasysh gjendjen që e kemi sot, angazhimin e Policisë sidomos në komunat veriore të vendit, angazhimin e tyre me orar të zgjatur dhe në kushte shumë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Qalaj.


MË SHUME NGA Lajme