Borrell pretendon se Thaçi u arrestua si president, reagime në Kosovë|Video
Jeton Musliu/RTKlive
Një deklaratë e Josep Borrell, Përfaqësues i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, ka nxitur reagime të forta në Kosovë, kryesisht nga bashkëpunëtorë të ngushtë të ish presidentit Hashim Thaçi.
Derisa fliste në Forumin për të Drejtat e Njeriut në Bruksel, Borrell deklaroi se BE-ja formon mekanizma të veçantë për të vënë drejtësinë për vendet që dalin nga konfliktet.
Në këtë rast, ai përmendi ish-presidentin Thaçi, për të cilin tha se u arrestua nga policia e tyre (EULEX-i), dhe u dërgua për t’u gjykuar.
“Ne kemi themeluar një mekanizëm special për zgjidhjet pas konflikteve. Dua të përmendi Kosovën. Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ish-presidenti i Kosovës tash është në Amsterdam dhe po pret të gjykohet. E misioni ynë i Policisë në Kosovë ishte në detyrë për arrestimin e tij. E arrestoi sa ishte ende president dhe e dërgoi në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, ka thënë Borrell.
Kështu, në këtë deklarim, ai ngatërroi edhe vendit se ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në vend të Hagës, ai përmendi Amsterdamin, kryeqytetin e Holandës.
Megjithatë, reagimet në Kosovë nuk ishin për ngatërrimin se ku ndodhen Dhomat e Specializuara, por ajo çfarë Borrell tha për Thaçin, që sipas të cilit ai “u arrestua”.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një reagim në facebook, e cilësoi Borrelin gënjeshtar.
“Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UÇK-së”, shkroi Çitaku.
“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!”.
Çitaku u shpreh se Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.
“Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”.
Ndaj këtyre deklaratave të Borrellit reagoi edhe Artan Behrami, dikur këshilltar i ish presidentit Hashim Thaçi.
“Gënjeshtrat skandaloze të Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së”, shkoi Behrami në rrjetet sociale.
Ai rikujtoi se fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. “Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!”.
Behrami u shpreh se ish presidenti Thaçi është vetëdorëzuar, pasi ka dhënë dorëheqje. “Ai nuk është duke u mbajtur në Amsterdam, por në Sheveningen të Hagës”.
Më tej, Behrami i drejtohet direkt Borellit, duke i rikujtuar se Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.
“Ndoshta ai e ka pasur fjalën për Prokurorinë, e cila është shndërruar në mekanizëm të BE-së për shantazh ndaj Kosovës dhe për ndryshim të historinë së Kosovës. Ligjërisht, as Prokuroria nuk është mekanizim i BE-së, por praktikisht po”, shkroi ai.
Sipas tij, deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit.























