Bislimi: Liberalizimi i vizave, arritje në integrimin evropian të Kosovës
Fadil Sertolli / RTKlive
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi përmes një statusi në Facebook ka thënë se Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian janë dakorduar ditën e sotme mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.
Ai tha se dakordimi, i cili do të kalojë në hapat e mëtejshëm procedural para hyrjes në fuqi, do t'u mundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të udhëtojnë drejt BE-së pa viza, më së largu me 1 janar 2024, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore.
“Liberalizimi i vizave është një arritje në integrimin evropian të Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme evropiane për vendin tonë, pas edhe nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE”, tha Bislimi.
Ai ka falënderuar Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së, për përkushtimin gjatë presidencës së tyre në këtë proces.
“Gjithashtu falënderoj edhe grupin parlamentar të social-demokratëve, të cilët mirëpritën dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, tha Bislimi.























