Vetëvendosje: Liria dhe pushtimi nuk barazohen kurrë!
V. Thaçi/RTKlive
(E plotësuar) Për dënimin e Salih Mustafës me 26 vite burgim nga Specialja, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt politik ka thënë se dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i papranueshëm.
Përmes një komunikate Vetëvendosje thotë se “barazimi i agresorit me mbrojtësin, relativizimi i të drejtës për çlirim e për rezistencë, janë gjëra që nuk do t’i pranojmë kurrë”.
Vetëvendosje shpreson që në shkallën e Apelit, ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte.
“Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit. Dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vite burg është i papranueshëm për ne. Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte”, thuhet në komunikatë.
Tutje në reagim, Lëvizja Vetëvendosje thotë se 'janë i vetmi subjekt politik që nuk e ka votuar themelimin e Gjykatës Speciale'.
"Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale. Mbi 12 mijë shqiptarë janë vrarë nga serbët e armatosur si ushtri, polici e paramilitarë. Mbi 20 mijë janë viktima të dhunës seksuale të përdorur si mjet lufte nga serbët. Ende të pagjetur janë 1653 persona, ndërsa në gjithë vitet e pasluftës janë zbuluar varreza masive me trupa shqiptarësh në Serbi. Mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, fabrika të shqiptarëve janë djegur e shkatërruar nga serbët deri para çlirimit në 12 qershor 1999", thuhet tutje në reagim.
Vetë termi “spastrim etnik”, sipas Vetëvendosjes, u krijua në Serbi, si një lloj formule për të mos thënë gjenocid.
"...e megjithatë vetëm 26 serbë janë dënuar për krime lufte. Millosheviqit nuk iu shqiptua dënim nga drejtësia ndërkombëtare. Në gjyqin e Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb që themeloi paramilitarët dhe u përfshi direkt në gjenocid, pati ndikim politik që të mos dënohej rëndë. Sot Serbia është e angazhuar në destabilizimin e Kosovës, duke sponsorizuar kriminelë që ngrenë barrikada e që lënë të vdesin nga mungesa e mjekimit vetë qytetarët serbë të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë çdo ditë me luftë duke përmendur kthimin e trupave ushtarake në Kosovë ndërkohë që provon ta destabilizojë edhe Bosnjen e Malin e Zi. Prandaj na dhemb dhe e shohim si të papranueshëm dënimin që po i bëhet shqiptarëve si Salih Mustafa, të cilët atëherë po edhe tash janë gjithmonë në pozita mbrojtëse përballë agresionit. Atdheun do ta mbrojmë gjithmonë, me çdo kush e me çdo mjet. Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me çlirimtarët, familjet e tyre, dhe gjithë popullin tonë liridashës", përfundon reagimi i VV-së.
Jashari: Specialja nuk mund të dënojë në emër të popullit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Dënimin e Salih Mustafës me 26 vite burgim nga Gjykata Speciale, Bekim Jashari e ka quajtur dëshmi që lufta ende nuk ka përfunduar.
“Luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë, sot po e humbim fatkeqësisht, dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta’, ka shkruar Jashari.
Ai, thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit e popullit dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njërën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe ‘akademikët’ tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë”, ka shkruar Jashari.
Ai ka pyetur nëse kjo që po ndodhë sot është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit për unitet.
“Kjo që po ndodhë sot, a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë”, ka shkruar tutje ai.
“Sot të gjithë jemi UÇK, sot nuk duhet të jemi të asaj apo kësaj partie, sot është vonë për të mos u bërë e pamundur nesër, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare të njohur nga aleatët tonë ndërkombëtar”, ka nënvizuar ai.
Jashari ka shkruar se Specialja nuk mund të dënojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa në emër të popullit të Kosovës sepse populli i Kosovës është vet UÇK-ja.
“Ai po dënohet në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shëtitin lirshëm po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë. Turp!”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij pas dënimit të Mustafës.
Aliu: Dënimi i ‘Calit’ padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë
V. Thaçi /RTKlive
(E plotësuar) Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa, me 26 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Aliu e ka vlerësuar të pamerituar këtë vendim të Gjykatës Speciale, duke kërkuar liri për “Calin”.
“Sot mori një dënim të rëndë dhe të pamerituar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – ‘Cali’, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi serb. Ne, kemi qenë kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim të drejtë. Plot 26 vjet dënim, për njeriun i cili i doli në mbrojtje vendit të tij. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj gjithë kombit tonë. Lavdi luftës së pastër të UÇK-së. Liri për çlirimtarin, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të luftës për liri! Liri për komandant ‘Calin’!”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Krasniqi për vendimin ndaj Mustafës: Dënim që nxit indinjatë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Ndaj vendimit të Speciales që i shqiptoi dënim prej 26 vjetësh ish- pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka reaguar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai dënimin e ka quajtur të rëndë, por ka thënë se shpreson që vendimi do të korrigjohet në shkallën e dytë, sepse kështu, sipas tij, do të dëshmohet serioziteti i Gjykatës.
Krasniqi ka cituar fjalët e Mustafës të thëna para trupit gjykues, derisa ka thënë se historinë e Kosovës nuk mund ta ndryshojë askush.
"Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme". Këto fjalë të Salih Mustafës - Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje, lideri PDK-së ka shkruar se mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare. Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë”.
Sipas tij, dënimi i sotëm ndaj Mustafës është i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar.
“Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka përfunduar reagimin e tij kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Haradinaj: Lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!
V.Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës nga Dhomat e Specializura në Hagë.
Haradinaj ka shkruar se Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!
Ai tha se beson fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së.
Sipas tij dënimi i Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, duke shtuar se shpreson të marrë një epilog tjetër nga ky i sotmi.
“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!” – ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Mehaj: Gjykata Speciale e padrejtë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas dënimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Sali Mustafa. Ai ka thënë se Specialja është gjykatë e padrejtë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbrojti popullin dhe truallin e vetë.
Një deklaratë të tillë Mehaj e bëri në konferencën e tij përmbyllëse të fundvitit. Ai ka thënë se Gjykata është e padrejtë dhe e pabazament.
“UÇK është një prej ushtrive më të përsosura, më të organizuara për mbrojtjen shtëpisë, familjeve dhe truallit vet. Besoj në drejtësi dhe do të merren hapa të duhur edhe për mbështetje nga qeveria dhe partnerët e tjerë”,ka deklaruar Mehaj.
Musliu: E tmerruar nga vendimi i Speciales për Sali Mustafën
Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk e ka dhënë votën e saj për Gjykatën Speciale është shprehur e tmerruar me dënimin që Gjykata Speciale i ka dhënë ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa.
Musliu e ka falënderuar Zotin që ia ka dhënë guximin për të votuar kundër Gjykatës Speciale në Kuvend.
“Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mija të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime. Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajo kur vendosa të votoj kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificën e popullit tim”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
“Sot edhe pse ndërgjegjen e kam të pastër, shpirti im është rënduar nga dhimbja për Calin dhe për veprën sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për kryeveprën e historisë sonë kombëtare. Lavdi e përjetshme luftës së Calit dhe UÇK-së!”, ka shkruar Musliu.

OVL-UÇK reagon pas shpalljes së dënimit për Mustafën |Video
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas shpalljes së dënimit për Sali Mustafën nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Faton Klinaku, nga shoqata e OVL-UÇK-së tha se tani nuk mund të bëjmë asgjë, pasi që Gjykata Speciale nuk është në Kosovë.

“Po të kishte qenë Gjykata Speciale në Kosovë hapat tonë do t’i kishit parë. Ne s’mund të bëjmë kurrfarë hapash këtu përderisa kjo e ka selinë në Hagë”, ka thënë Klinaku.
Ai akuzoi politikën e Kosovës që nuk janë marrë fare më k֝ëtë çështje, duke theksuar se kjo është absurde dhe e dëmshme për popullin tonë.
“Është turp për ne që ish-liderë botëror e akuzojnë Gjykatën Speciale që është gjykatë politike, e Kuvendi i Kosovës dhe politikanët tonë nuk merren fare me këtë çështje, gjë e cila është absurde”, ka shtuar Klinaku.























