Mehaj:2022 vit i zhvillimit të fuqishëm të kapaciteteve ushtarake të FSK-së
BKT
Foto: Ministria e Mbrojtjes
Lajme

Mehaj:2022 vit i zhvillimit të fuqishëm të kapaciteteve ushtarake të FSK-së

Fadil Sertolli / RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vlerëson se 2022-ta ishte vit i zhvillimit të fuqishëm të kapaciteteve ushtarake të FSK-së dhe, siç tha ai, sukseset u dedikohen të gjithë ushtarakëve të FSK-së.

Në takimin me përfaqësuesit e mediave në vend me rastin e festave të fundvitit, ministri Mehaj tha se do të vazhdojnë të punojnë për të ardhmen në koordinim të plotë me aleatët.

“Gjithçka që ndërtojmë është në bashkëpunim me aleatët tanë. Kemi objektivat e njëjta që janë kyçe dhe janë në përputhje me sigurinë tonë. Vitin e kaluar kemi pasur zbarkimin historik në Kuvajt krah për krah me aleatin tonë, ShBA-në, por jemi në koordinim e bashkëpunim për më shumë misione, e trajnime që FSK-ja mund të mbështetë partnerët tjerë”, tha Mehaj.

Tutje, ai, tha se nevoja për ndryshimet e këtyre ligjeve ka qenë e nevojshme si për heqjen e kufizimit të numrit ashtu edhe për rritjen e moshës deri në 25 vjet në mënyrë që të gjithë të rinjtë të mund t’i bashkohen ushtrisë.

Mehaj tha se avancimi i kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen e vendit ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor.

“Jemi në përfundim të vitit të parë të kapaciteteve të para, që janë pjesë edhe vitit të dytë të tranzicionit. ‘Defender-Europe 23’ është objektivi kryesor, ku edhe kanë nisur përgatitjet pasi jemi nikoqir dhe presim suksesin e validimit të regjimentit të radhës prej 1,300 ushtarëve”, tha ai.

Po ashtu Mehaj tha se janë në hartim të ligjit për ushtarët rezervë, e që siç shprehet ai, është shumë i rëndësishëm.

“Një prej fokuseve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes është rritja e numrit të grave dhe vajzave ushtarake. Tash kemi pjesëmarrjen e 1,44 për qind të grave dhe i ftoj të gjitha gratë dhe vajzat që të bëhen pjesë e FSK-së për t’i shërbyer atdheut”, ka përfunduar Mehaj në takimin e fundvitit.


MË SHUME NGA Lajme