Deputeti ukrainas nis peticion për njohjen e Kosovës nga Ukraina
Jeton Musliu/RTKlive
Deputeti në Parlamentin e Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, një nga më zëshmit në përkrahje të Kosovës, ka inicuar një peticion online.
Ai me këtë peticion kërkon nga Ukraina, që ta njoh sa më parë pavarësinë e Kosovës.
Këtë peticion, ai deklaroi se do t’ia dërgojë presidentit të vendit, Volodymir Zelensky.
“E bëra një peticion për në adresë të presidentit të Ukrainës, me kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, njoftoi deputeti ukrainas në Twitter.
“Nëse peticioni mbledh 25,000 nënshkrime, presidenti duhet t'i përgjigjet”, tha ai. “Ukraina duhet ta mbështesë Kosovën tani”.
E mbështetje këtij peticioni i ka dhënë edhe Kati Schneeberger, austriakja që drejton organizatën “Vjena bëhet Evropë”.
Duke ripostuar deklarimin dhe peticionin e deputetit ukrainas, ajo u bën thirrje qytetarëve të atij shteti, që ta nënshkruajnë atë.
“Të dashur ukrainas, ju lutemi nënshkruani këtë peticion për njohjen e Kosovës nga Ukraina”, shkroi Schneeberger.
“Kosova është një shtet sovran si Ukraina. Ndihmoni në mbrojtjen e Kosovës nga agresioni rus dhe serb”, shkroi ajo.
Kati Schneeberger, u bë e njohur në Kosovë në qershor të këtij viti, kur nisi një peticion online, me të cilin i bëhej thirrje BE-së që t’i liberalizojë vizat për Kosovën, raporton RTKlive.
Ndërkohë, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili është edhe deputet i këtij vendi në Parlamentin Evropian, u bë i njohur kur në këtë institucion të BE-së, mbajti fjalim të fortë në përkrahje të Kosovës.
Muaj më parë ai ishte në Prishtinë, ku u prit nga kkrerët më të lartë të shtetit, nga të cilët u falendërua për angazhimin që shteti i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai madje kishte njoftuar presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve.























