Babai i Sali Mustafës: Këtë vendim nuk e kam pritur
Besjana Mulaj RTK
RTK ka provuar që gjatë ditës të jetë pranë familjes Mustafa, për të përcjellë reagimin e tyre gjatë shpalljes së vendimit ndaj birit të tyre, mirëpo ata nuk kanë pranuar. Pas shpalljes së vendimit, babai i Sali Mustafës, Jahja Mustafa tha se këtë vendim nuk e ka pritur.
Shpallja e aktgjykimit në rastin ku Sali Mustafa u dënua me 26 vjet burgim, te familja e tij shkaktoi indinjatë të thellë. Më se rëndi e përjetoi babai i tij.
"Nuk e kam menduar kurrë që do të dënohet", tha Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës.
Atë e mbante shpresa se trupi gjykues i Gjykatës Speciale do ta lironte sot ish-komandant Calin, por dënimi me 26 vjet burgim ndaj djalit të tij, e ka thyer emocionalisht, por nuk ia humbi krenarinë.
"Ma se vështiri më ka ardhur kur tha po e shpallim në emër të Kosovës, me ligje te Kosovës ajo ishte e rëndë për ne...", tha Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës.
"Ka një vit që ja ka filluar të na thërras në telefon, ne nuk kemi pas të drejt as të shkojmë për vizitë edhe kur thirr çdo të hënë se ne nuk kemi të drejt me thirr atë, shkurt fol shumë pak 1 minutë hiq ma gjatë" , tha ai .
Ndaj këtij verdikti ka reaguar edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari. Ai në një postim në rrjetet sociale ka thënë se: vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tanë në njërën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe 'akademikët' tanë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë.
Kjo që po ndodhë sot a është e mjaftueshme për t'i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë,ka shkruar Jashari në Facebook.























