Reagojnë familjarët: Kriminelët e vërtetë po jetojnë në liri/Video
BKT
Lajme

Reagojnë familjarët: Kriminelët e vërtetë po jetojnë në liri/Video

Donika Sherifi/RTK

Reagim për dënimin e Sali Mustafës, ka pasur edhe nga familjarët viktimave civile në Kosovë, e të cilët e konsiderojnë të padrejtë këtë vendim të Trupit Gjykues të Dhomave Specializuara.

Ata thonë se janë bërë mbi 23 vjet, dhe askush në Serbi nuk është dënuar për vrasjen e civilëve, përfshirë foshnja, gra e pleq. Ata pak që janë dënuar kanë marrë dënime të ulëta.

23 anëtarë të familjes Deliu u vranë e më pas u masakruan. Në mesin e tyre, jeta iu shua edhe vajzës gjashtëmuajshe në djep, Diturijes. Por, për këto vrasje dhe mijëra të tjera, ende nuk është  dhënë përgjegjësi dhe askush nuk është dënuar.

Pos në rajonin e Drenicës, masakra pati në Vushtrri, Gjakovë, Podujevë, Prishtinë, Mitrovicë dhe në tërë territorin e Kosovës. Thuhet se Serbia kreu rreth 400 masakra të përgjakshme.

Ahmet Grajqevci nga Këshilli koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, thotë se derisa luftëtarët e Kosovës po dënohen nga Specialja, kriminelët e vërtetë po jetojnë në liri.

“Kjo është një lapsus i Gjykatës Speciale sepse ajo gjykatë është e njëanshme,do të thotë njerëzit që kanë kryer krime janë në liri, ata të cilët luftuan për lirinë janë të burgosur. Kjo është diçka e paimagjinueshme, edhe këtu mund të veprohet kështu siç është vepruar, me një gjykatë të njëanshme, të dënohet edhe Mustafa, edhe të tjerët që janë aty, do të thotë pa ndonjë argument, kurse ne në arkivat tona kemi plot argumente dhe dëshmi dhe ne e dimë që krimi e ka vetëm një emër, krim, krimineli ka emër dhe mbiemër, po edhe shteti ka emër, është Serbia”, Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës.

Nga lufta e fundit në Kosovë, 23 vjet pas, ende figurojnë mbi 1600 persona të zhdukur, ndërsa rreth 13 mijë e 500 persona thuhet se janë vrarë, rreth 20 mijë janë dhunuar, në mesin e tyre gra, burra e fëmijë, derisa janë djegur me mijëra shtëpi e objekte banimi e për të gjitha këto krime vetëm 8 serbë janë paditur nga Gjykata Penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Slobodan Milosheviq vdiq derisa ishte ende në gjykim, derisa një tjetër u shpall I pafajshëm. Por, gjashtë të tjerët u dënuan me 127 vjet burg, vendim I cili pas apelimit u reduktuar në 107 vjet.

13 vjet pas vendimeve të para, vetëm tre nga ta janë ende në burg.

Milan Milutinoviq, ish-president i Serbisë, në vitin 2003 u akuzua për pastrim etnik dhe vrasje, kurse në vitin 2009 u lirua si i pafajshëm.

Nikola Shainoviq, ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, në vitin 2009 shpallet fajtor për krime  kundër njerëzimit dhe krime lufte, të cilin Gjykata e Hagës e dënon me 22 vjet burgim. Në vitin 2014,  dënimi i zbritet në 18 vjet burg, kurse në vitin 2015 lirohet para kohe.

Dragoljub Ojdaniq, shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në vitin 2009 shpallet fajtor për pastrim etnik dhe dënohet me 15 vjet burgim. Në vitin 2013 pranoi pjesëmarrjen në krimet e luftës kundër shqiptarëve të Kosovës, kurse në vitin 2013 merret vendimi për lirim të përkohshëm.


MË SHUME NGA Lajme