Ekspertët: FSK t’i fuqizojë kapacitetet e veta operacionale e taktike
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Ekspertët: FSK t’i fuqizojë kapacitetet e veta operacionale e taktike

Mejreme Tahirukaj / Radio Kosova

Forca e Sigurisë së Kosovës duhet t’i fuqizojë kapacitetet e veta operacionale e taktike. Ekspertët ushtarakë thonë se kjo bëhet duke rritur kapacitetet me pajisje të reja, të blera sipas planifikimeve buxhetore dhe planit 10 vjeçar për zhvillimin e FSK-së.

Rritja e kapaciteteve me pajisje taktike po bëhet në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Transformimit dhe ngritjeve të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës për të kryer misionin e vet kushtetues, thonë ekspertët ushtarakë. Sipas tyre, faza e dytë e tranzicionit do të jetë më komplekse dhe më sfiduese.

Hisen Berisha, ish oficer i lartë i FSK-ës njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, për Radio Kosovën shprehet se periudha e ngritjeve të kapaciteteve të planifikuara në FSK, është bërë pas analizimit të rreziqeve që cenojnë sigurinë e vendit:

“Objektivat janë më të intensifikuara në aspektin e krijimit të kapaciteteve për ruajtjen e integritetit dhe sovranitet të vendit. Pra, ngritja  e regjimenteve të para të këmbësorisë luftarake. Blerja e armatimeve që nevojitën për trajnim”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, Musa Gjakova, shef i Sektorit për Analiza dhe Zhvillim në FSK, thotë se për t’i arritur standardet dhe kapacitet çfarë kërkohen nga NATO, është sfidë.

“Planet që i kemi hartuar së bashku me partnerin tonë strategjik jemi duke shkuar me hapa të sigurt dhe jemi duke shkuar mirë. Parashihet me armatim që të kompletohemi me njësi operacionale. Pritet që shumë shpejt kompetencat tona të zgjerohen”, ka thënë Gjakova.

Ekspertët ushtarakë thonë se pas luftës në Ukrainë, ka ndryshuar edhe koncepti i  NATO-s e që ekspertët rekomandojnë që të gjitha institucionet e sigurisë të jenë në përputhje me këtë  koncept.


MË SHUME NGA Lajme