Analistët: Ndërhyrja në veri duhet të jetë politike
BKT
Lajme

Analistët: Ndërhyrja në veri duhet të jetë politike

Albana Bajrami / Radio Kosova

U bënë dhjetë ditë që veriu i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar me vendosjen e barrikadave nga serbët, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Ndërkohë, sot është një situatë e qetë atje. Komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Angelo Michele Ristuccia, në një përgjigje për Radio Kosovën, tha se kanë përforcuar praninë e tyre në veri, duke përfshirë edhe me trupa e patrulla shtesë gjatë kësaj jave. Ndërsa, analistët thonë se ndërhyrja duhet të jetë politike.

Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për largimin e barikadave në veri të vendit, ato vazhdojnë të qëndrojnë ende atje. Edhe pas dhjetë ditësh, ende nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim, ndërsa KFOR-i ka shtuar trupat në veri. Komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Angelo Michele Ristuccia, në një përgjigje për Radio Kosovën, tha se që nga tetori kanë përforcuar praninë e tyre në veri, duke përfshirë edhe me trupa e patrulla shtesë gjatë kësaj jave.

“KFOR po monitoron nga afër situatën në veriun e vendit. KFOR-i ka kapacitet të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovë. Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë tonë, duke përfshirë edhe me trupa e patrulla shtesë në veri të Kosovës këtë javë. Ne presim që të gjithë akterët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. KFOR do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 12-44 të vitit 1999, për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë ai në përgjigjen me shkrim për Radio Kosovën.

Ndërkohë, analistët në Kosovë, thonë se në veri të vendit ka nevojë për ndërhyrje politike. Analisti, Blerim Burjani, tha për Radio Kosovën se aktualisht nuk duhet të ndërhyjë Policia e Kosovës, por vetëm KFOR-i.

“Nuk mendoj që është mirë që Policia e Kosovës të ndërhyjë atje, njësia speciale e të tjerë. Ato mund të shërbejnë si logjistikë, por situatën në dorë dhe ndërhyrjen kryesore duhet ta bëjë KFOR-i. Mirëpo, politikë nuk bëhet me barrikada dhe nuk mund të arrihet kurrë marrëveshje me situata të tensionuara. Mendoj që SHBA duhet ta ketë rolin kryesor dhe BE-ja. Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i të jenë të gatshëm të ndërhyjnë nëse vazhdojnë barrikadat. Nëse nuk ka ndonjë vullnet t’i largojnë, është e fundit që të përdoret dhuna për largimin e tyre”, ka thënë Burjani.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha për Radio Kosovën, se grupet kriminale në veri, me çdo kusht po tentojnë që të krijojnë një momentum të ri politik. Ai tha se barrikadat në veri mund të hiqen gjatë kësaj jave pas një ushtrimi fushor të KFOR-it.

“Sipas të gjitha gjasave, në rast se do të kemi heqje të barrikadave nga institucionet e Kosovës, nga policia e Kosovës, atëherë mund të ketë tensione të ndryshme. Ndërsa, nëse ato hiqen nga KFOR-i dhe EULEX-i, nuk e besoj se do të ketë tensione. Serbia e ka marrë mesazhin e qartë. Edhe dje gjatë protestës që është mbajtur nga qytetarët serbë, është vërejtur politika e KFOR-it, që në momentin që do të kalohet vija kufitare, atëherë pasohen masat reciproke sa i përket zbatimit të kushtetutshmërisë dhe Rezolutës 12-44”, ka thënë Shala.

Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura me barrikada, ndërsa heqja e tyre po kërkohet të bëhet nga ata që i kanë vendosur. Aktualisht, sipas informacioneve nga veriu, situata vazhdon të jetë e qetë dhe e pandryshuar.


MË SHUME NGA Lajme