Nikolla: Detyrime nga raporti i progresit i KE-së për të drejtat e njeriut
ATSH
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë dhe përshëndeti në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit. Tema e Konferencës ishte roli i institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut si element i qenësishëm i shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Pasi vlerësoi pozitivisht veprimtarinë njëvjeçare të Avokatit të Popullit dhe të Erinda Ballancës në krye të këtij institucioni, kryetarja e Kuvendit nënvizoi se “Për Kuvendin e Shqipërisë promovimi, garantimi, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve janë shumë të rëndësishme”.
“Unë ndjek me vëmendje të shtuar raportimet në Kuvend dhe hartimin e rezolutave për institucionin e Avokatit të Popullit dhe institucionet e tjera që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisonierit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto vitet e fundit, për shkak të vështirësive ekonomike të shkaktuara, në fillim prej tërmetit të vitit 2019, dhe pastaj të pandemisë dhe të luftës në Ukrainë, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve, sidomos të të drejtave të tyre ekonomike e sociale, mori një theks të veçantë dhe një diapazon më të gjerë.Shumica e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj që raportojnë në Kuvend, përfshirë entet rregullatore, u përballën dhe u angazhuan në masa mbrojtëse për mirëqenien dhe të drejtat e qytetarëve”, th ajo.
Nikolla theksoi se Kuvendi ka nxjerrë detyrat e veta nga raporti i progresit i Komisionit Evropian me fokus të drejtat e njeriut, të pakicave, të pronës, lirisë së shprehjes etj. dhe po punon për zbatimin e tyre.
“Nga institucionet e pavarura kemi kërkuar e do të kërkojmë monitorimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve nga Qeveria dhe institucionet dhe agjencitë shtetërore.Në kontekstin e rrethanave që përmenda më lart, në plan të parë për të gjithë ne kanë dalë mbrojtja e të drejtave ekonomike e sociale dhe e atyre në fushën e shëndetit.Por edhe të drejtat e grave e vajzave, sidomos mbrojtja e tyre nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje.”, tha Nikolla.























