Agon Sadiku ‘mbreti’ i Finlandës
Fatmir Bytyqi /RTKLive
Në mesin e shumë talentëve shqiptare që po militojnë më plot sukses në ‘tapetet’ e nxehta evropiane, është edhe Agon Sadiku.
19 vjeçari, i cili është pjesë e klubit të njohur finlandez, Honka, është shpallur golashënuesi më i mirë për vitin 2022.
Sadiku, i cili luan në pozitën e qendërsulmuesit të Honka-s, ka realizuar 14 gola, duke arritur kuotën e golashënuesit më të mirë në Superligën finlandeze.
Kosovari, i cili është pjesë e Kombëtares së Kosovës në ekipin A, ka dhënë kontribut të madh në rezultatet e Honka-s, skuadër kjo që është në garë për titull të kampionit në Finlandë.
Agon Sadiku, falë lojës dhe efikasitetit të tij, nga finlandezët është cilësuar si “dragoi i fushës së futbollit”.
Në fushën e futbollit dëgjohen ovacionet e brohoritjet duke thirrur emrin e tij: “Agon-Dragon!”
“Ajo çfarë bën ai në fushën e futbollit, e meriton këtë epitet”, thonë analistët, komentatorët e futbollit finlandez.
Agon Sadiku ka qenë i përzgjedhur në ekipin e përfaqësueses finlandeze në grupmoshat e reja, por, ai vendosi të vesh fanellën e Kosovës.
“Jam shumë i kënaqur që më ka thirrur Kosova. Jam ndier shumë mirë që mund të luaj për Kosovën”, u shpreh Agoni.
Agoni është i vetëdijshëm për konkurrencën tek ‘Dardanët’ e rinj, por ai shprehet optimist se “do ta sigurojë pozitën e titullarit në Kombëtaren e Kosovës”.























