Peleshi: NATO mbështetje për portin ushtarak në Porto Romano
BKT
Shqipëri

Peleshi: NATO mbështetje për portin ushtarak në Porto Romano

ATSH

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e konsideron të rëndësishme ndërtimin e një porti ushtarak pranë portit të ri të Porto Romano për Shqipërinë, por edhe për Aleancën.

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Peleshi u pyet nga gazetarët lidhur me ndërtimin e një baze të NATO-së në Durrës.

Peleshi ka deklaruar se një ndër pikat e diskutimit me gjeneralin suprem të NATO-s ka qenë dhe mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos.

“Lidhur me një takim të fundit që unë kam pasur para disa ditësh në qendrën e NATO-s me Komandantin Suprem të Aleancës për Europën, gjeneral Christopher G. Cavoli, një nga pikat e diskutimit ka qenë dhe mundësia e mbështetjes nga NATO të portit ushtarak pranë portit të ri të Porto Romanos. Ky është një projekt i rëndësishëm për Shqipërinë po e po, por ne mendojmë dhe për Aleancën pasi siç e ka thënë edhe gjenerali suprem i NATO-s, Durrësi është si portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në krahun lindor të NATO-s, është shumë i rëndësishëm për Aleancën e NATO-s”, deklaroi ministri.

Peleshi tha se “ajo që ne po i ofrojmë NATO-s që porti, pra kjo hyrje të jetë sipas standardeve të kërkuara nga NATO”.

“Që në fazën e projektimit, ne jemi duke u konsultuar me NATO-n. Paralel me konsultimin për dizajnin sipas standardit dhe këtë gjë ma premtoi Komandanti Suprem i NATO-s, pra që do të atashojë burime njerëzore pranë përfaqësisë tonë aty, kemi 16 ushtarakë që punojnë në NATO. Ne po punojmë dhe në pista të tjera për financimin. Ka hyrë në pikët e diskutimit nga strukturat e NATO-s edhe kjo mundësi financimi”, nënvizoi ministri i Mbrojtjes.

Ai shtoi se “kemi dhe një model të ngjashëm që është baza taktike e Kuçovës, e cila po ecën me ritme të shpejta”.

“Ka qenë një tjetër pikë diskutimi me komandantin suprem, një investim tjetër shtesë për të ndërtuar qendrën e kontrollit të trafikut ajror aty, pra në Kuçovë, një infrastrukturë shtesë që mund të kushtojë 20 milionë euro të tjera. E kemi në fazë diskutimi, shpresojmë që të miratohet nga NATO. Me atë model, ne mund të ecim dhe për portin e Porto Romanos”, përfundoi ministri.


MË SHUME NGA Shqipëri