Komisioni i Sigurisë kalon projektligjin për “Policinë Bashkiake”
BKT
Shqipëri

Komisioni i Sigurisë kalon projektligjin për “Policinë Bashkiake”

RTSH

Projektligji për Policinë Bashkiake ka kaluar sot në komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili do t’ia dërgojë Kuvendit për miratim në seancë plenare.

Në drejtimin e kryetarit Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim nen për nen projektligjin “Për Policinë Bashkiake”. Të pranishëm ishin Romina Kuko zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme, Enea Hoti Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë Brendshme dhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.

Projektligji rregullon misionin, organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Policisë Bashkiake në Republikën e Shqipërisë, marrëdhëniet e punës së punonjësit të Policisë Bashkiake, si dhe masat për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike në komunitet.

Projektligji rregullon përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Bashkisë, kompetencat dhe detyrat e Policisë Bashkiake, kundërvajtjet administrative, kriteret për pranim në Policinë Bashkiake, emërimi i punonjësit të Policisë Bashkiake, kriteret për emërimin e drejtuesit të Policisë Bashkiake, trajtimi financiar gjatë dhe pas përfundimit të marrëdhënieve të punës etj.

Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të propozimeve nga komisionet e tjera për nene të veçanta, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Policinë Bashkiake”.

Rtsh .al, me këtë rast, publikon edhe pikat kryesore të këtij projektligji:

Përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Bashkisë

a) Kontrollon dhe analizon veprimtarinë e Policisë Bashkiake;

b) Raporton para këshillit bashkiak çdo vit dhe sa herë kërkohet prej tij për veprimtarinë e Policisë Bashkiake;

c) Siguron pajisjet, mjetet lëvizëse dhe infrastrukturën e nevojshme për Policinë Bashkiake;

ç) Organizon konsultime periodike me komunitetin, organizatat jofitimprurëse dhe me strukturat vendore të Policisë së Shtetit për prioritetet dhe veprimtarinë e Policisë Bashkiake;

d) Miraton kalendarin e trajnimeve të punonjësve të Policisë Bashkiake.

Kriteret për pranim në Policinë Bashkiake

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë;

d) Ndaj tij të mos jetë nisur një procedim penal dhe të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo një kundërvajtjeje penale;

dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna që nuk është shuar ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

e) Të mos jetë larguar nga Policia e Shtetit për shkak të vlerësimeve kalimtare ose periodike, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e Policisë së Shtetit;

ë) Të paraqesë vërtetimin e besueshmërisë.

Emërimi i punonjësit të Policisë Bashkiake

Punonjësi i Policisë Bashkiake emërohet nga kryetari i Bashkisë, pas shpalljes fitues nga procedura e konkurrimit.

Pas emërimit, punonjësi i Policisë Bashkiake i nënshtrohet periudhës tremujore të provës.

Punonjësi i Policisë Bashkiake, gjatë periudhës së provës, përfundon trajnimin e detyrueshëm 4-javor në institucionin arsimor të Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, sipas programit të miratuar për këtë qëllim nga institucioni arsimor.

Në përfundim të trajnimit të detyrueshëm, zhvillohet testimi me shkrim për përvetësimin e njohurive nga kandidati, bazuar në programin e trajnimit. Kandidati përfundon me sukses trajnimin e detyrueshëm nëse merr mbi 50 (pesëdhjetë) % të pikëve të testimit.

Mospërfundimi me sukses i trajnimit të detyrueshëm përbën shkak për përfundimin e marrëdhënies së punës.

Në fund të periudhës së provës, duke u bazuar në vlerësimin e rezultateve në punë dhe përfundimin me sukses të trajnimit të detyrueshëm, punonjësi i Policisë Bashkiake konfirmohet në detyrë.

 


MË SHUME NGA Shqipëri