Hoti kritikon qeverinë për strategjinë energjetike
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ish-kryeministri, tani deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ekzekutivin e vendit se i humbi dy vjet me anulimin e projektit të gazit me amerikanë e tash po u kthehet projekteve, siç ka thënë ai, të nisura nga “regjimet e kaluara”.
“Asgjë e re në 'Strategjinë energjetike 2022-2031'. I humbën dy vite me anulimin e projektit të gazit me amerikanë. Tani u kthehen projekteve të nisura nga “regjimet e kaluara”, përfshirë: termocentralin me gaz, Bursën Energjetike me Shqipërinë, apo integrimin e rrjetit energjetik me rajonin", ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti ka thënë se objektivat në këtë strategji janë shkruar "sikur për fletushka promovuese për kursim të energjisë, e jo objektiva për strategji shtetërore ku tregohet: sa do rriten kapacitet, sa do të kushtojnë investimet dhe si do të mbulohen ato investime".
























