Sveçla: Goran Rakiq me bandat kriminale po i mirëmban barrikadat në veri
M.Shefkiu/RTKLlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat, të cilat tash e 11 ditë po i mbajnë të bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës në veri.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, ministri Sveçla thotë se e vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet.
“Ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, shkruan Sveçla, sipas të cilit, institucionet e Kosovës, me partnerët, janë duke bërë përpjekje maksimale për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë, siç thotë ai, këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.
“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale, prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar, para se gjithash, të gjithë qytetarët pa dallim”, deklaroi Sveçla.
Policia e Kosovës, sipas tij, është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe në shërbim të ligjit që iu kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.























