INPO publikon raportin: “Planifikimi i prokurimit në 20 komuna”
BKT
Foto: INPO
Lajme

INPO publikon raportin: “Planifikimi i prokurimit në 20 komuna”

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Iniciativa për Progres - INPO ka publikuar raportin e planifikimit të prokurimit të komunave për vitin 2022, që doli si rezultat i monitorimit të procesit të monitorimit të 300 aktiviteteve në 20 komuna.

Diell Haxhimusa, hulumtues në INPO, tha se hapi i parë në prokurimin publik, planifikimi është determinues edhe i fazave tjera të prokurimit.

“Një planifikim i mirë ndikon në suksesin e AK-së për vitin përkatës, dhe e kundërta, një planifikim i dobët sjellë pasoja të paparashikueshme dhe të dëmshme për AK-në”, ka thënë gjatë prezantimit të hulumtimit Haxhimusa.

Tutje ai ka thënë se për këtë hulumtim janë monitoruar saktësisht 300 aktivitete të prokurimit në 20 komunat e fokusit, përveç komunës së Klinës, komunat tjera nuk i paraqesin të gjitha detajet e kërkuara sipas ligjit, madje as ato formale në planin përfundimtar të prokurimit.

“INPO ka gjetur se përveç dështimit në planifikim formal të prokurimit, AK-të nuk respektojnë apo nuk i përmbahen planifikimeve të tyre, sidomos tek lëndët e furnizimeve. Kësisoj, nga 100 aktivitetet e monitoruara për furnizim, vetëm 66 prej tyre figurojnë në planin e prokurimit, pjesa tjetër janë iniciuar pa qenë fare të planifikuara”

Ndërkohë monitoruesja e INPO-s, Leorenta Alija theksoi se komunat kundërligjshëm dhe pa ndonjë vendim apo udhëzim nga organet kompetente janë duke ndryshuar planet përfundimtare të prokurimit.

Tutje, INPO ka zhvilluar një anketë më zyrtarët përgjegjës të prokurimit dhe njësitë kërkuese në komunat e fokusit rreth rolit, rëndësisë dhe përgjegjësisë së zyrtarëve në planifikimin e prokurimit, rezultatet e së cilës janë shqetësuese.

“Rezultatet e anketës kanë treguar se njësitë kërkuese nuk e kanë të qartë se kujt i takon përgjegjësia për planifikimin e prokurimit, 43.8% e tyre mendojnë se kjo përgjegjësi është e përbashkët në mes të ZPP-ve dhe njësive kërkuese, po aq mendojnë se kjo përgjegjësi i takon vetëm njësive kërkuese. Pastaj, 12.5% e njësive kërkuese potencojnë se nuk kanë kapacitete për të planifikuar artikujt, sasitë dhe njësitë në planin përfundimtar të prokurimit, ndërsa 12.5% e tyre mendojnë se nuk është e nevojshme paraqitja e artikujve, sasive dhe njësive tek aktivitetet e prokurimit”, nxjerrë përfundimin hulumtimi.

Alija, potencoi se hulumtimi përfshin edhe kontratat për punë shtesë, ndërsa lidhur me këtë çështje rezulton se gjatë vitit 2021, 20 komunat e monitoruara kanë nënshkruar 191 kontrata për punë shtesë lidhur me aktivitetet për punë, ndërsa vlera e punëve shtesë është mbi 4.5 milion.

Madje, sipas tyre në komunën e Kamenicës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës së Veriut, numri i kontratave për punë shtesë  e tejkalon mbi 50% numrin e kontratave të planifikuara për punë gjatë vitit 2021.

Monitoruesi i INPO-s, Valmir Ilazi theksoi se bazuar në gjetjet e këtij raporti, planifikimi i prokurimit vazhdon të mbetet një ndër fazat me dobësi sistematike dhe mungesë të llogaridhënies institucionale dhe individuale të zyrtarëve të përfshirë.


MË SHUME NGA Lajme