Rama: Teatri i ri Kombëtar, destinacion për aktivitete ndërkombëtare
atsh
Me teatrin, tha ai, shtohet edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e institucioneve të rilindura dhe të kthyera në hapësira të këtij shekulli.
“Me teatrin faktikisht shtohet edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e institucioneve të rilindura dhe të kthyera në hapësira të këtij shekulli. Në anën tjetër të rrugës kemi kantierin e Galerisë së Arteve që edhe ajo ishte në një situatë jo të lehtë për shkak të kushteve të konservimit të veprave të fondit, për shkak të pamundësisë për të pasur hapësirat e nevojshme që domosdoshmërish i shërbejnë dhe ambicies për tu adaptuar me të gjitha nevojat e kohës. Në anën tjetër është Opera e re, tërësisht e rindërtuar e cila tanimë është bërë një sallë që pa diskutim jo vetëm atë festivalin e përvitshëm që e kanë mbajtur edhe më përpara në ato kushte jashtëzakonisht të vështira “Marie Kraja” por edhe të tjera aktivitete mund të organizojë. Në fund të bulevardit kemi Akademinë e Arteve. Godina historike e Akademisë së Arteve, se unë Akademia i them se këtë “Universiteti i Arteve” as nuk e kuptoj dot pse, është një tmerr ajo por nejse, duhet të bëhëj Kastrioti dhe Petriti me miqtë e mi atje, profesor doktor në Bolonja apo ku di unë se ç’thonë. Gjithsesi është godina e tërë, është e gjitha e rikonstruktuar, por jo e rikonstruktuar por e restauruar me detaje dhe tani është drejt përfundimit edhe salla të cilën kur ta shihni jam i bindur që do ndjeni një kënaqësi të posaçme se është e gjitha e ripozicionuar në kohë, duke shqyrtuar fotografitë e vjetra, duke shqyrtuar arkivat që jo me shumë lehtësi iu vunë në dispozicion projektit dhe Piramida që së shpejti do të jetë një qendër rajonale e teknologjisë për të rinjtë, për fëmijët”, deklaroi Rama.
Këtu Kryeministri u ndal te marrëveshja e nënshkruar një ditë më parë për dronët, teksa tha se kompania prodhuese që ka një sistem të tërë të qendrave të shkencës ka kërkuar të jetë pjesë e subjekteve që do ta shfrytëzojnë hapësirën te Piramida për të ofruar shërbime teknologjie falas për fëmijët.
“Dje firmosëm marrëveshjen për dronet “Bajraktar” dhe kompania që prodhon dronët ka një sistem të tërë të qendrave të shkencës siç u quajnë, që janë qendra të aksesueshme për fëmijët për t’i futur në botën e teknologjisë dhe për ta bërë këtë gjë pa pagesë, duke pasur parasysh që shumë fëmijë të talentuar nuk i kanë mundësitë që të paguajnë jo këtu, por as në Turqi dhe as në një pjesë të konsiderueshme të vendeve tarifat e larta që kanë kushtet për teknologjinë. E vizituam dje Piramidën dhe ata me menjëherë sa e panë, shumë të impresionuar kërkuan që të ishin pjesë e atyre subjekteve që do ta shfrytëzojnë për të ofruar këtë shërbim i cili është totalisht falas për fëmijët, siç e thashë. Natyrisht që këtë menjëhershmëri të reagimit e krijoi projekti, e krijoi vepra arkitektonike atje dhe lajmi i mirë është që sot më në fund zgjidhet dhe ai misteri i madh “ka kullë, s’ka kullë mbi teatër”, “do ndërtohet, s’do ndërtohet kullë në sheshin e teatrit”. Ky është teatri! Ky është sheshi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se të gjitha spekulimet, gënjeshtrat dhe shpifjet për të ndërsyer dhe për të mërzitur komunitetin i përkasin së shkuarës.
“Ajo që do mbetet dhe në këtë rast do të jetë vepra, një vepër që unë do isha shumë i lumtur sikur të isha bashkë me Robert Ndrenikën dhe Tinka Kurtin për t’i hapur dyert sepse këta të tjerët janë më të rinj dhe këta dihet që do ta gëzojnë, nuk janë gjenerata ime dhe e Tinkës edhe e Bertit”, shtoi ai.























