Live|Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik
M.Miftari/RTKlive & F.Sertolli / RTKlive
Pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, Kuvendi i Kosovës, në lexim të dytë, ka miratuar edhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, megjithë kundërshtimin e deputetëve nga radhët e opozitës.
Në sallë të pranishëm ishin 85 deputetë, ku 64 deputetë votuan, prej tyre 63 për, asnjë kundër, një abstenim, duke mundësuar të kalojë Ligji për pagat në sektorin publik.
Me këtë votim u krye edhe seanca plenare, duke u miratuar projektligji për pagat.
Deputetë të partive opozitare kanë kundërshtuar votimin e Projektligjit për pagat, për shkak të mospërfshirjes së vlerës monetare të koeficientit në projektligj.
Opozita: Projektligji për Pagat, skandaloz
(E plotësuar) Pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, ka filluar shqyrtimi për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publikë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konnjufca, pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, ftoi deputetët që të shqyrtojnë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publikë, derisa njoftoi të pranishmit për vlerësimet e komisioneve për projektligjin në fjalë.
E, lidhur me votimin të këtij projektligji deputeti Valon Ramadani, njëherësh kryetar i Komisionit për Administratë Publike, teksa arsyetoi raportin për Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, ftoi deputetët e Kuvendit që ta votojnë këtë ligj me amendamentet e propozuara.
Kurse deputetët nga radhët e partive opozitare kritikuan ftesën e partisë në pushtet për ta miratuar Projektligjin për Zyrtarë Publikë.
Haxhiu: Projektligji për Pagat shpërfill kërkesat e sindikatave

(E plotësuar) Deputeti Haxhiu (PDK), lidhur me Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, theksoi se ky ligj do të duhej të ishte një prej ligjeve më me rëndësi për punëtorët e administratës publike, për shërbyesit civilë, për mësimdhënësit, për punëtorët shëndetësorë, për ushtarët policët, zjarrfikësit, etj.
"Për fat të keq ky projektligj po vjen në votim duke shpërfillur të gjitha kërkesat e sindikatave dhe organizatave punonjëse që merren me pagë nga buxheti i shtetit", deklaroi Haxhiu.
Ai shprehu shqetësimin për trajtimin nga deputetët e partive në pushtet në mospërfilljen e kërkesave të sindikatave, të organizatave e agjencioneve tjera të punëtorëve të sektorit publik.
Deputeti Haxhiu rikujtoi propozimin e dikurshëm të kryeministrit Kurti për shëndetësinë, për “qasjen e integruar në shëndetësi“, duke e vlerësuar këtë hap të qeverisë e të kryeministrit Kurti si farsë.
Bajrami: Projektligji për Pagat, skandaloz, nuk dihet vlera e koeficientit

(E plotësuar) Deputetja nga LDK, Hykmete Bajrami, theksoi se vlera e pagave në sektorin publik ka rënë dukshëm, kur shporta e konsumatorit është shtrenjtuar rreth 50%.
Ajo vuri në pah se Ligji për Paga nuk adreson këtë çështje, sepse nuk dihet se cila është vlera e saj monetare e koeficientit.
“Kjo bëhet edhe më skandaloze kur shohim nenin 9 të Ligjit të Pagave për Sektorin Publik ku thuhet se vlera monetare e Ligjit për Paga përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, ligj që ka kaluar”, deklaroi Bajrami.
Ajo kërkoi sqarim nga ministri i Financave dhe nga kryeministri Kurti se kur mund të hyjë në fuqi ky ligj, derisa neni i fundit sqaron se ky ligj hyn në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.
Tahiri i AAK-së: Koeficienti minimal duhet të jetë 121 euro

(E plotësuar) Në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë shqyrtimit të dytë të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Qeveria duhet të tregojë koeficientin për paga në këtë projektligj, në të kundërtën, siç tha ai, ky ligj është mashtrim për zyrtarët publikë.
Tahiri ka qenë i prerë duke thënë se për të marrë votën tonë ky ligj, dikush duhet të dalë e ta thotë se koeficienti minimal është 121 euro.
“Dhe nëse është 121 euro atëherë ka rritje goxha serioze, por nëse e bën 105 euro, 110 euro, atëherë është problem”, tha Tahiri i AAK-së.
Gjithashtu ai ka vlerësuar se koeficienti bazë do të duhej të ishte 129 euro.
“Koeficienti do të duhej të ishte 129 euro për faktin se parashikimi dhe shuma e pagës së zyrtarit publik afrohet shumë me kërkesa të cilat janë edhe me moszvogëlimin e pagave”, tha Tahiri.
Filloi shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik

(E plotësuar) Pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, ka filluar shqyrtimi për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konnjufca, pas votimit të Projektligjit për Zyrtarë Publikë, ftoi deputetët që të shqyrtojnë Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, derisa njoftoi të pranishmit për vlerësimet e komisioneve për projektligjin në fjalë.
“Komisioni Funskional për Administratë ka shqyrtuar Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe Kuvendit ia ka rekomanduar miratimin e tij, së bashku me amendamentet e propozuara, dhe Komisioni për Legjislacion ka vlerësuar se projektligji dhe amendamentet janë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e zbatueshme në Kosovë; Komisioni për Integrime Evropiane ka shqyrtuar këtë projektligj dhe ka vlerësuar se projektligji nuk rregullohet në mënyrë specifike përmes legjislacionit të BE-së, ndërsa Komisioni për Buxhet nuk e ka shqyrtuar projektligjin, bashkë me amendamentet e propozuara, kurse Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve ka vlerësuar se ky ligj nuk i cenon dhe nuk prek të drejtat e komuniteteve”, sqaroi, mes tjerash kryeparlamentari Konjufca.
E, lidhur me votimin të këtij projektligji, deputeti Valon Ramadani, njëherësh kryetar i Komisionit për Administratë Publike, teksa arsyetoi raportin për projektligjin për paga në sektorin publik, ftoi deputetët e Kuvendit që ta votojnë këtë ligj me amendamentet e propozuara.
Kuvendi miratoi Projektligjin për Zyrtarët Publikë

(E plotësuar) Është miratuar Projektligji për Zyrtarët Publikë në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se me 58 vota për, asnjë kundër dhe me katër vota të abstenuar, kalon ‘Ligji për Zyrtarë Publikë’.
Pra, pro miratimit të këtij projektligji, kanë votuar për 58 deputetë, ndonëse miratimi i këtij projektligji është bërë pas kritikave të shumta dhe vërejtjeve nga opozita në Kuvend.
Selmanaj: LVV po bën politizimin e administratës

(E plotësuar) Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Qeveria Kurti po tenton ta shkatërrojë administratën e shtetit, sepse në Kosovë nuk ka qenë sistemi i keq, porse njerëzit e kanë prishur atë sistem.
Selmanaj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për politizimin e administratës shtetërore.
“Kjo parti nuk ka reflektuar as pas shqetësimit të Zyrës së BE-së për këto projektligje. Ne po e shfrytëzojmë rastin, si LDK, të shprehim më tepër se shqetësimin tonë për qasjen Qeverisë në raport me 80 mijë njerëz që punojnë në administratë. Ky është shembull se si po tenton një qeveri ta shkatërrojë këtë sistem. Në Kosova s’ka qenë sistemi i keq, njerëzit e kanë prishur atë sistem”, tha Selmanaj, duke shtuar se me këtë qasje shkatërrohet administrata e shtetit të Kosovë.
Po ashtu, sipas tij, me këtë ligj bëhet diferencimi i administratës publike dhe që afati 4-vjeçar i secilës pozitë i nivelit të mesëm e të lartë, është mundësi për korrupsion e nepotizëm.
“Askush në Kosovë nuk është i sigurt se do të jetë pjesë e administratës pas 4 vjetëve. Ku është interesi që njerëzit të bëhen pjesë e administratës”, ka pyetur Selmanaj.
Tahiri: Projektligj për Zyrtarët Publikë, cenon në thelb punën e administratës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se me këtë projektligj për zyrtarët publikë, i cili po shqyrtohet sot në Kuvend, do të cenohet pavarësia dhe kualiteti i administratës.
Tahiri tha se shpreh shqetësimin që në lexim të parë, se ky projektligj që do të votohet nga mazhoranca, cenon shumë administratën dhe shërbimin civil.
“Ky ligj që sot do të votohet do ta devijojë punën e shërbimit civil... Tani po rrezikoni të dëmtoni cilësinë në administratën civile, kjo administratë implementon politikën e juaj qeveritare dhe tani dëmtimi e politizimi i saj është i dëmshëm, më parë nuk e kemi bërë dhe ju tani po e bëni”, tha Tahiri.
Tahiri i bëri ftesë Qeverisë që ta tërheqë këtë, sepse kështu e politizon tej mase administratën publike. “Ka vend për përmirësime, por jo kështu pasivisht të bëhen ndryshime që dëmtojnë punën e Administratës Publike, ndryshe PDK nuk merr pjesë në votim”, tha Tahiri.
Tahiri: Projektligj për zyrtarët publikë do ta ‘varrosë’ meritokracinë

(E plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se me votimin e këtij ligji do të ‘varroset’ meritokracia në shërbimin publik dhe në administratën shtetërore.
“Punësim dhe drejtësi që ka qenë platforma politike e VV-së dhe tani na vjen një ligj që, në thelbin e vetë, e varros meritokracinë në shërbimin publik dhe administratën shtetërore”, tha Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit.
Ai tha se secili drejtor që sot e ka mandatin e tretë është në presionin e asaj se a do t’i vazhdohet kontrata.
“Prandaj, ky ligj ka me ju vendosë në pozitën ma të keqe juve sot, e nesër neve. Sot jeni ju, nesër do të jemi ne, kushdo që do të jetë ministër të pranojë një emërim politik”, tha Tahiri.
Ai po ashtu tha se qytetarët nuk e kanë votuar Vetëvendosjen që rekrutimi në pozita publike të bëhet nga Kryesia e saj.
Ai po ashtu ka që ky ligj të kthehet prapa.
Nis seanca e Kuvendit, në rend dite Projektligji për Zyrtarët Publikë

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nisi esencën e radhës, në rend dite janë, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, pas arsyetimit të bërë për miratimin Projektligjit për Zyrtarët Publikë, ftoi deputetët e pranishëm në seancën e Kuvendit që ta miratojnë këtë ligj.
Nis seanca e Kuvendit, në rend dite edhe Projektligjit për Pagat

N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nisi esencën e radhës, në rend dite janë, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Të dyja këto projektligjet, janë shqyrtuar me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Kosovës. Kështu kanë votuar deputetët e shumicës parlamentare, ndonëse këtë formë e kundërshtuan deputetët opozitarë.
Kuvendi i Kosovës, sot, do të mbajë dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme.
Seanca e jashtëzakonshme fillon në orën 12 dhe në rend të ditës është, Shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031. Kurse në seancën e tretë, që pritet të mbahet nga ora 13, në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve dhe raportimeve.
Kuvendi mban sot tri seanca, një të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme. Në seancën e radhës do të bëhet Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Të dyja projektligjet, ai për Pagat dhe për Zyrtarët Publikë do të shqyrtohen sot, me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Kosovës. Kështu kanë votuar deputetët e shumicës parlamentare, ndonëse këtë formë e kundërshtuan deputetët opozitarë.
Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të parë Projektligji për Pagat në Sektorin Publik. Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve, transmeton RTKlive.
Kurse seanca e jashtëzakonshme fillon në orën 12:00 dhe në rend të ditës është, Shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031.
Edhe në seancën e tretë plenare, që pritet të mbahet nga ora 13:00, në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve dhe raportimeve.























