Krasniqi: Qeveria të mos dorëzohet para barrikadave
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pasi ka takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin tha se ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkë me koordinatorin, akademik Arsim Bajrami, ka shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili sipas tij, po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës.
Krasniqi deklaroi se injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve.
“Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia”, deklaroi kreu i PDK-së.
Ai u shpreh se zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror.
Krasniqi deklaroi se me Këshillin Politik të partisë që drejton, ka diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE).
“Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”.
Krasniqi u shpreh se në një takim të ndarë, ka takuar edhe kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilët diskutoi për zhvillimet politike, projektet komunale dhe, me theks të veçantë, sipas tij, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK.
“Me Kryetarët e Degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”.























