Çeku flet për licencimin: Federata e futbollit po trajtohet si të tjerat
BKT
Sport

Çeku flet për licencimin: Federata e futbollit po trajtohet si të tjerat

Uran Krasniqi / RTKLive

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku, ka thënë se në procesin e licencimit të federatave sportive futbolli po trajtohet si federatat e tjera.   

Ai duke folur në RTK është shprehur se asgjë e jashtëzakonshme nuk është duke ndodhur. 

"Licencimi është veprim në kuadër të reformës në sport. Licencimi është instrumenti më i rëndësishëm për të vendosur rregull në organizatat sportive. Deri dje janë licencuar nëntë federata, ndërsa në proces të licencimit janë edhe pesëmbëdhjetë federata. Asgjë e jashtëzakonshme nuk po ndodhë. Edhe futbolli po trajtohet si federatat e tjera", ka thënë Çeku.

Ai ka folur edhe për infrastrukturën në futboll.    

"Sot e kemi një fazë emergjente. E kemi vetëm një stadium ku mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare dhe nuk e kemi asnjë stadium tjetër që i plotëson kushtet shpesh as për gara të nivelit shtetëror e lëre më për ndërkombëtare. Plani ynë është ky: pesë vjet, mbi njëzet e pesë stadiume të kategorive ta ndryshme nga katër e poshtë, rreth 170 milionë euro në total, buxhet të cilin rreth gjysmën mund ta sigurojmë me forcat e tona po për gjysmën tjetër ne tash po komunikojmë me UEFA-n dhe me FIFA-n, për të siguruar edhe mbështetjen ndërkombëtare financiare", ka thënë Çeku. "Pra ky është plani, për pesë vjet duhet ta mbyllim muhabetin e infrastrukturës në futboll, si sporti më masiv në vendin tonë".

Ai ka përmendur Gjakovën si shembull të mirë të participimit për stadiumin. 

Çeku ka thënë se kur të përfundojë ky plan, atëherë i vjen radha diskutimit të ndërtimit të stadiumit nacional. "Deri tash qasja nuk ka qenë serioze lidhur me këtë temë", ka thënë ai.