PDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë|Video
BKT
N.Mekolli/ RTKlive
Lajme

PDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë|Video

RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sot e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Sipas kësaj partie, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

Sipas, Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së më këtë ligj po legjitimohet politizimi i administratës publike  dhe po degradohen shërbyesit civil.

“Sot me kërkesë të PDK-së, kemi ardh në Gjykatën Kushtetuese për ta dorëzuar kërkesën për ta shfuqizuar ligjin për zyrtarët publikë dhe ne e konsiderojmë si shkelje të radhës së Kushtetutës të Kosovës”. Sipas Lushtakut, në vitin 2022 Qeveria ka dështuar në çdo aspekt, në implementimin e planit të saj, prioritetet e saj, ku si rezultat kemi një krizë të thellë ekonomike .

Edhe, Përparim Gruda, koordinator për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, të kësaj Partie, u shpreh se Ligji për Zyrtarët Publikë adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe çë qojnë në politizim të skajshëm të administratës publike.

Po ashtu, sipas Grudës, ky Ligj shkel edhe detyrimet që Kosova ka ndaj Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

“Mendoj që është e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria e Kosovës të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa në anën tjetër të mos marr parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Bashkimi Evropian”, tha Gruda pos tjerash.

 


MË SHUME NGA Lajme