Haradinaj i reagon Kurtit: Kosova s`ka luks të eksperimentojë me miqtë
J.Musliu/RTKlive
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një deklaratë ku thotë se “ShBA-ja s’mund ta përfaqësojë Kosovën e as unë ShBA-në”.
Kjo është fjalia e thënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervostë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ndaj së cilës ka reaguar ish kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj, tani kryetar i AAK-së.
Haradinaj pyet se cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë!
“Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën”, pyet Haradinaj.
Ai vazhdon të kërkojë përgjigje se përse Kurti, sipas tij, me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit, kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes.
“Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020”, dekalroi Haradinaj në një postim të tij në rrjetet sociale.
“Detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës, dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja”.
Haradinaj deklaroi se Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë, por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi.
“Kjo d.m.th se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar”.
Kryetari i AAK-së deklaroi se ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit.
“Une u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira”.























