Peleshi: Do plotësojmë Njësinë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike
BKT
Shqipëri

Peleshi: Do plotësojmë Njësinë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike

rtsh.al

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, teksa ka prezantuar arritjet e bëra gjatë vitit që lamë pas, ka bërë me dije edhe objektivat për vitin 2023.

Në një konferencë për mediat, ku marrin pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Brigade Arben Kingji, si dhe drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Haki Çako, Peleshi u ndal te siguria kibernetike në vend, teksa theksoi se këtë vit do të plotësohet totalisht Njësia Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike. Peleshi theksoi se do të garantohen paga më të mira se në sektorin privat, për të qenë sa më konkurrues.

Peleshi bëri me dije po ashtu se Shqipëria do të anëtarësohet plotësisht edhe në qendrën e ekselencës së sigurisë kibernetike të NATO-s që ndodhet në Estoni. 

“Njësia Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike ka marrë një peshë të re pas sulmeve të fundit kibernetike. Viti 2023 do jetë viti kur kjo njësi do të ketë plotësuar 100% kapacitete njerëzore. Tani po rekrutojmë ekspertë të rinjë në fushën kibernetike, kemi rritur pagat dhe i kemi bërë ato fleksible për specialistë të fushës së IT. Stafi do jetë i mirëtrajnuar falë bashkëpunimit me SHBA, por edhe anëtarësimit të plotë në qendrën e ekselencës së sigurisë kibernetike të NATO-s që ndodhet në Estoni. 2023 do jetë viti kur anëtarësimi jonë do jetë i plotë dhe ne do jemi kontribues dhe përfitues të kësaj qendre”, u shpreh Peleshi.

Ministri u ndal edhe te dërgimi në hapësirë të dy satelitëve, Albania 1 dhe Albania 2, duke i konsideruar risi të jashtëzkonshme. Megjithatë ai theksoi se sfidë mbetet që të dihet të përfitohet nga shërbimet që ata do të ofrojnë.

“Shërbimet satelitore do na japin një potencial të jashtëzakonshëm, por sfida është sa do të dimë ne të përfitojmë nga këto shërbime. Shërbimet satelitore mund të jenë dhe komerciale, t’i vendosen në dispozicion psh. fermave”, tha Ministri.

Sa i takon Mbrojtjes Civile, Peleshi tha se vendit do t’i shtohen 2 avionë dhe mjete të posaçme me anë të kredisë me vlerë 30 mln euro nga Italia

“Një kredi 30 mln euro do të merret nga Italia për zjarrfikësit dhe për mjete të tjera. Parashikojmë që të shtojmë flotën e mjeteve ajrore, me dy avionë. Çështja e mirëmbajtjes është ajo që na shkakton probleme ndaj po zgjedhim disa marka me vende si Kroacia apo Mali i Zi dhe të kalojmë te ajo që quhet, zgjidhje inteligjente”, tha Peleshi.


MË SHUME NGA Shqipëri