Kurti pas takimit me Chollet: SHBA partner e aleat i domosdoshëm i Kosovës
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar për takimin që kreu i Qeverisë, Albin Kurti, pati me këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, derek Chollet.
Siç shkruan në komunikatë, kryeministri i Republikës së Kosovës, përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi Chollet me punën dhe arritjet e Qeverisë në vitin që sapo lamë pas.
“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim”, shkruan në këtë komunikatë.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij”.
Duke cituar kryeministrin Kurti, në komunikatë theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës.
“Kryeministri Kurti vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”.
Në takim, theksohet se u diskutua edhe për procesin e dialogut, planin evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”.
Komunikata sqaron se në takim, Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.
Nga ana e Kosovës, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Pritja e Chollet nga kryeministri Kurti|Foto-Video
Mediat nuk janë lejuar të xhirojnë dhe as të marrin pjesë në takimin që kryeministri Albin Kurti, pati me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Megjithatë, disa orë më vonë pas këtij takimi, Zyra e Kryeministrit ka shpërndarë disa pamje nga pritja dhe bisedat që Kurti pati me Chollet.
Sidoqoftë, përvec këtyre pamjeve, nuk janë dhënë më shumë detaje për përmbajtjen e këtij takimi.
RTKlive sjell më poshtë disa fotografi nga ky takim.
Chollet para ardhjes në Ballkan, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e DASH-it është thënë se Chollet në Kosovë vjen për të diskutuar për përpjekjet e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën drejt avancimit euroatlantik.
Ndërsa sërish është cekur rëndësia e një marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi, e cila në qendër do ta kishte njohjen e ndërsjellë.




























