Shqipëri, prangoset sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave
BKT
Shqipëri

Shqipëri, prangoset sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave

RTSH

Dy zyrtarë të lartë të ministrisë së Financave dhe një përmbarues janë prangosur pasi akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe për korrupsion. Në prangat e policisë ka rënë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, përmbaruesi Alban Ruli, si dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxhaj. 

Shkak për arrestimin është bërë një kontratë e firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022 dhe Drejtorisë së  Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992.

Pak ditë më parë rtsh.al,  publikoi informacionin që Prokuroria e Tiranës, Gjykata e Apelit Tiranë me vendim në vitin 2000 urdhëroi zgjidhjen e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I. Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë blerësit I. Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Gjokutajt është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cënon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

Arlind Gjokutaj, i cili është prangosur sot, u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave. Prokuroria Tiranë kërkon tashmë “Arrest në Burg” për zyrtarët publikë dhe përmbaruesin për “Shpërdorim detyre”.

Njoftimi

"Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal. Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se: Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”. Ministria e Financave  dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT. Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015. Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin  ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P. Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal."- thuhet ne njoftimin e Prokurorisë.


MË SHUME NGA Shqipëri