Komiteti LIBE voton PRO liberalizimit të vizave për Kosovën
Gjeraqina Tuhina/Bruksel/RTK
Pro këtij vendimi kanë votuar 48 deputetë, 7 ishin kundër ndërsa 2 kanë abstenuar.
Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, ka votuar me shumicë dërmuese PRO.
Ky është votimi i parë në vargun e votimeve që pritet të ndodhin në javët në vijm, e që do të çojnë deri te vendimi përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për qyetetarët e Kosovës.
Pas votimit në Komitetin LIBE, testi për liberalizimin e vizave duhet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.
Në fund, duhet të votojnë edhe ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, kur edhe përfundojnë procedurat e votimit dhe vendimi shpallet në Gazetën Zyrtare.
Sipas vendimit tashmë të dakorduar, qytetarët e Kosovës do gëzojnë lëvizjën e lirë pa viza, paralelisht me funksionalizimin e sistemit informativ evropian ETIAS, e në çdo rast, kjo do të ndodhë jo më vonë se më 1 janar të vtiti 2024.

Komiteti LIBE i PE-së voton sot për liberalizim të vizave për Kosovën
J.Musliu/RTKlive
Fillimi i këtij viti, risjell në vëmendje procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kjo pasi sot në Bruksel, në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, të njohur shkurtimisht si LIBE, pritet të votohet marrëveshja trepalëshe, e që ka të bëjë me liberalizimin i vizave për Kosovën.
Në faqen zyrtare të LIBE, njoftohet se votimi është në rend të ditës, ndërkohë që disa herë, eurodeputetë të ndryshëm, përfshirë edhe ata nga Ukraina, kanë bërë thirrje për liberalizim të vizave.
Në fakt, Parlamenti Evropian disa here ka votuar rezoluta duke përkrahur liberalizimin për Kosovën.
Ky institucion u ka bërë thirrje vendeve të BE-së, që sa më parë ta miratojnë vendimin për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
Kosova mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojë pa viza për në vendet e BE-së.
Sidoqoftë, tashmë është e vendosur se procesi i liberalizimit të vizave duhet të ndodhë më së largu me 1 janar 2024.























