Krasniqi: Raporti i HRW, tregues se Qeveria abuzoi me të drejtat e njeriut
BKT
Foto: Memli Krasniqi/Facebook
Lajme

Krasniqi: Raporti i HRW, tregues se Qeveria abuzoi me të drejtat e njeriut

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke reaguar pas publikimit të raportit “Human Rights Watch” për Kosovën, deklaroi se në këtë dokument, përmenden vrasjet e grave, kërcënimet ndaj gazetarëve si dhe diskriminimi ndaj komuniteteve të margjinalizuara.

“Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch”, shkroi Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai deklaroi se dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie.

“Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare”.

Tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë, janë disa nga çështjet që organizata Human Rights Ëatch (HRW) përmendi në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë.  Raporti u publikua më 12 janar.

Në raportin e 33-të, HRË monitoroi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, siç u tha nga kjo organizatë ndërkombëtare joqeveritare, ende karakterizohet nga ndjekja e ngadaltë e krimeve të luftës, qëndrimi i dobët ndaj të drejtave të minoriteteve, grave dhe komunitetit LGBT, si dhe liritë e dobëta të medias.

Te pjesa e Kosovës, në raport u trajtua edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit.

Sipas raportit, në periudhën janar-gusht 2022, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

HRW e citoi AGK-në të ketë thënë se hetimet penale për këto raste janë të ngadalshme.


MË SHUME NGA Lajme