Sot shënohet 110-vjetori i Policisë së Shtetit
Shqipëri

Sot shënohet 110-vjetori i Policisë së Shtetit

RTSH

Policia e Shtetit shënon sot 110-të vjetorin e krijimit, ku në ambientet e saj është zhvilluar edhe një ceremonie nderimi për punën dhe sfidat e policisë në gjithë këto vite.

Kryepolici Muhamet Rrumbullaku tha se Policia e Shtetit është një institucion në mbrojtje të shtetit demokratik dhe lirive e të drejtave të njeriut.

“13 janari është një datë e artë, e shënjuar përjetësisht në historinë e Shqipërisë, në memorien e kombit dhe në memorien e çdo qytetari që ka ndërtuar jetën, familjen dhe pronën, nën hijen e shtetit amë. Policia e Shtetit është një nga arteriet kryesore dhe më thelbësore të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar. Këtë rol, Policia e Shtetit e ka përfaqësuar e vijon ta përfaqësojë denjësisht, falë përkushtimit dhe sakrificës së mijëra burrave e grave, djemve e vajzave, të cilët brez pas brezi kanë dhënë më të mirën e tyre, për vendin dhe për shoqërinë”, tha Rrumbullaku.

Teksa e cilësoi Policinë e Shtetit si burim sigurie dhe besimi për qytetarët, Rrumbullaku tha se në emër të këtij ideali, janë sakrifikuar shumë nga radhët e saj.

“Martirët e Policisë së Shtetit kanë gjakun e tyre, në ngjyrën e flamurit kombëtar dhe ky është një motiv i fortë, pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë, për ta ruajtur të denjë simbolin e lartë kombëtar. Për Dëshmorët e Policisë së Shtetit, 110 vjet janë epitafe, çmimi i jetës së tyre, drita e prehjes që ndriçon kolegët në majat e thepisura, në shtratet e sipërfaqeve ujore, në rrugët e vendit dhe në skajet e tij. Fati më përzgjodhi mua që ta përshëndes këtë datë jubile, dhe në të njëjtën kohë, të kem mundësinë të vlerësoj dhe të përulem me nderim, para punës dhe përkushtimit të të gjithë atyre që e kanë mbajtur dhe që e mbajnë veshur uniformën e Policisë së Shtetit, si edhe para atyre që në periudha të ndryshme dhe në ato më të vështirat, mbajtën stafetën e drejtimit të Policisë së Shtetit, duke i dhënë vlerat më qëndrestare këtij institucioni. Për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, 110 vjet janë pesha më e rëndë dhe privilegji më i madh i jetës sime. Të jesh në krye të Policisë së Shtetit sot, kur shumë është bërë dhe shumë më shumë do të bëhet, i jep çdo dite pune, vlerën e 110 vjetëve”, tha Rrumbullaku.

Rrumbullaku foli edhe për investimet në Policinë e Shtetit dhe përdorimin e teknologjisë më të fundit për luftimin e krimit.

“Punonjësit e Policisë sot nuk gjenden përballë krimit, të vetëm me uniformën dhe me armën e shërbimit. Pajisjet e teknologjisë bashkëkohore, çelja e një epoke të re për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe filozofia e kontaktit të drejtpërdrejtë me problematikën e qytetarit, bëjnë që 13 janari i vitit 2023 të na gjejë shumë herë më të sigurtë, më të mbrojtur, më efecientë dhe më profesionistë. Ne zotohemi përballë qytetarëve tanë se puna e Policisë së Shtetit do të vijojë të mbetet thellësisht e pranishme dhe fisnike, në jetët e shqiptarëve, si dhe se do të jetë në koherencë të plotë me hapat e ndryshimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Brezat e rinj të Policisë së Shtetit me përgjegjshmërinë dhe atdhedashurinë që i karakterizojnë, do të vijojnë të lënë gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit, e cila shtrihet tashmë në 2 shekuj. Kjo armatë e re profesionistësh dhe të përkushtuarish, do të kontribuojnë për përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit dhe për rritjen e cilësisë së shërbimit, për qytetarët që besojnë në punën e Policisë dhe e mbështetin atë, të sigurtë se kjo është mënyra e vetme, për t’i dhënë këtij vendi, stabilitetin dhe integritetin që meriton të ketë”, tha Rrumbullaku.


MË SHUME NGA Shqipëri