Opozita reagon për mos votimin e tërhejqes së parave nga Trusti
E. Hoti/ RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka votuar sot kundër tërheqjes nga qytetarët të 30 për qind të parave nga Trusti Pensional. Lidhur me këtë kanë reaguar sot lideri i PDK-së, Memli Krasniqi dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Krasniqi ka thënë se me këtë po injorohen kërkesat e qytetarëve, ndërsa Tahiri tha se besimi i 50% të qytetarëve të Kosovës u keqpërdor skajshmërisht.
Krasniqi ka thënë se është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po u bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, sikur kjo e tërheqjes së një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti.
Ai ka shkruar në Facebook se në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre.
“Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas dështimit të Trustit i ka dërguar një mesazh kryeministrit Kurti, përmes një video.
Tahiri tha se me vendimin e Kurtit, nuk kaloi Trusti, ku qindra mijëra familje e pritën sot këtë vendim të cilin e kishin iniciuar vet.
“Përmes kësaj video dua t'ia dërgoj kryeministrit Kurti një porosi, i cili me vendimin e tij, me urdhër të tij, sot vendosi që mos të kalojë Trusti.
Qindra dhe mijëra familje, sot, prisnin një vendim të drejtë nga Kuvendi i Kosovës, një vendim i cili u iniciua nga vet qytetarët, nga ata të cilët e votuan. Besimi i 50% të qytetarëve të Kosovës u keqpërdor skajshmërisht sot”, ka shkruar Tahiri në Facebook.























