Efektet e (mos) tërheqjes së 30% të parave nga Trusti|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Efektet e (mos) tërheqjes së 30% të parave nga Trusti|Video

Sh.Gashi / E.Hoti/RTKlive

Në emisionin “RTK Prime”, sonte u debatua mbi mos votimin nga ana e Kuvendit të Kosovës të projektligjit që do të mundësonte një tërheqje të dytë prej 30% nga ana e qytetarëve, të kursimeve nga Trusti Pensional.

Deputetja nga LVV-së, Jeta Statovci, deklaroi partia në të cilën ajo bën pjesë,  me marrjen e mandatit, padyshim që ishte e vetëdijshme se në çfarë gjendje është Kosova.

“Pra  me  një prej ekonomive më të brishta ku ndër  vite është përcjellë me politika jo të mira strategjike e të planifikuara, që do të mundësonin një zhvillim ekonomik”, tha deputetja Statovci.

Sipas saj,  kur ka një ekonomi të brishtë, padyshim që përballja me një varg krizash, qofshin ato kriza të sigurisë apo ato të pandemisë, kanë efektet e veta.

“Mirëpo nëse  e shikojmë se çka e mundëson një alternativë ose zgjidhje afatgjate, padyshim në rrethanat e krizave,  pretendohet ose nxitet të ketë më shumë shpenzime nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të jetë pranë qytetarit”, u shpreh ajo.

Deputetja Statovci deklaroi se kjo është parë kur një pako fillestare e cila ka qenë prej 100 milionë euro, i është shpërndarë grupeve që kanë pasur më së shumti nevojë.

“Gjithashtu  kemi pasur edhe  një pako të radhës  me rreth 150 milionë që gjithashtu u është shpërndarë studentëve, të punësuarve në sektorin privat e të punësuarve në sektorin publik, pensionistëve e të gjithë atyre në skema sociale, duke i targetuar ata që kanë të hyra më të ulëta  dhe që u nevojitet një asistencë nga ana e shtetit për tu përballur më situatën e re ekonomike”.

Deputetja Jeta Statovci, më tej argumentoi se në analizën në raport me Trustin, kur ka  rrethana të krizave,  çështjet e skemave pensionale ose Fondet Pensionale, duhet të ruhen dhe jo të shpërndahen.

“Sepse ato janë mjete që planifikohen për një mirëqenie afatgjate, e sidomos në moshën kur jemi pa aktivitet ekonomik dhe nuk gjenerojmë të hyra”, u shpreh Statovci në “RTK Prime”.

Sipas saj, në analizat dhe statistikat e bëra, është parë se diku 10% e kontribut dhënësve arrijnë që të marrin diku rreth 49% të totalit të Trustit, që do të thotë  gjendja ekonomike e tyre është më e favorshme, saqë  faktikisht kanë gati gjysmën e  Trustit.

“Kjo nënkupton që  targeti ku do të bëhet ky  distribuim i këtyre mjeteve është te njerëzit që  faktikisht kanë një  gjendje ekonomike më të favorshme”.

Por deputeti Arben Mustafa nga PDK-ja në opozitë, u shpreh se të gjithë e dinë se mjetet që kursehen në këtë Fond, janë të dedikuara për një moshë të shtyrë, ku njerëzit nuk mund të gjenerojnë të hyra dhe për atë arsye edhe ekziston pensioni i obliguar.

“Mirëpo, ne nuk duhet të flasim vetëm në parim se cila është rëndësia dhe cili është qëllimi i sistemit pensional, pa e marrë parasysh kontekstin për të cilin po flasim”, tha deputeti Mustafa.

Ai tha se nuk duhet harruar gjendjen në të cilën ndodhemi.

“Partitë opozitare që sot kanë kërkuar lejimin e tërheqjes së një pjese të Trustit, janë parti të cilat kanë qenë në pushtet në kohen më të madhe kur është ndërtuar ky Trust i cili funksionon edhe sot dhe asnjëherë deri më tani nuk është kërkuar, përveç vitit 2020 kur ishte pandemia”, tha Mustafa në “RTK Prime”.

Ai deklaroi se nuk i ka shkuar dikujt ndërmend që të kërkojë që të tërhiqen paratë nga Trusti,  se qenka politikë e mijëra qytetarëve.

“Mos të flasim këtu që dikush po e ruan Trustin dhe dikush po do ta shkatërrojë  atë.  Ne po flasim për një periudhë të jashtëzakonshme. Nuk mund të flasim  nëse është mirë të tërhiqen paratë apo të mos tërhiqen, pa e marrë parasysh situatën në të cilën jemi”.

Më tej deputeti nga radhët e opozitës, u shpreh se në situatën ku qytetari në këto 20 vitet e fundit, asnjëherë nuk ka qenë në vështirësi më të mëdha financiare se tani, e ku ka rritje të çmimeve të shportës së konsumit, ndërkohë që derisa të hyrat e qytetarëve nuk kanë ndryshuar, tha se ekonomia ka pëformancë të ngadalësuar të ritmit të rritjes, krahasuar me vitin paraprak.

“Në këtë situatë ekziston një kërkesë e madhe e qytetarëve për t’iu qasur këtyre mjeteve, për ta zbutur këtë gjendje ku janë”.

Ai tha se kjo kërkesë e qytetarëve ka rezultuar nga pasiguria ekonomike kohëve të fundit. 

“Kemi qytetarë që mezi po ia dalin të plotësojnë nevojat e tyre deri në fund të vitit”.

Sipas tij, Qeveria nuk e ka përfunduar punën e saj. “Ajo duhet t’i japë përgjigje krizës ekonomike në të cilën jemi”.

E nga ana e tij, profesor i ekonomisë, Berim Ramosaj, deklaron se sjellja e deputetëve karshi fenomenit Trust, është sjellje reaktive.

“Pyetja shtrohet nëse ka bërë ndokush një fizibilitet ekonomik financiar, apo arsyeshmëria ekonomike e financiare e këtyre mjeteve, në qoftë se tërhiqen, cili do të jetë rezultati”, tha Ramosaj në ‘RTK Prime”.

Sipas tij, e dyta është nëse e ka llogaritur dikush që qytetari mund të kthehet në qoftë se  tërhiqen mjetet, nga pozita e sipërmarrësit.

“Sepse tek e fundit ato mjete që janë në Trust, ato janë të dedikuara për plasim investimi për projekte të ndryshme dhe në kompani të ndryshme”.

“Nuk janë kursim i thjeshtë. Dhe e treta që po ashtu është për tu diskutuar është se sot kanë ardhur në pozitën reaktive ata të cilët e kanë ndërtuar Trustin, kanë ardhur në pozitë të palakueshme”.

Ramosaj u shpreh se situata ndodhet në pikën kur ministri i Financave, të thotë që “ju po doni me e prishë institucionin e Trustit, institucion financiar, institucion i sigurisë së qytetarëve që në njëfarë forme është ndërtuar me mjaft mund”.

Më tej profesor Ramosaj deklaroi se Trusti aq sa është një koncept ekonomik, aq është edhe social.

“Arsyeja e ndërtimit të kësaj kauze është e natyrës sociale si rezultat i mirëqenies sociale të shtresave në nevojë. Nuk është arsyeja ekonomike”.

Ai u shpreh se sado që mundohen ta përfshijnë edhe komponentin ekonomik, sepse duke e llogaritur në faktin se kush është përfituesi më i madh, del se efektet mund të jenë në rritjen e shkallës së inflacionit.

“Padyshim që rritet sasia e parave në qarkullim, rritja e sasisë së parave në qarkullim domosdoshmërish rritë kërkesën në treg, rritja e kërkesës në treg padyshim afekton rritjen e çmimeve dhe në njëfarë forme mund të jemi faktorë që e rrisim inflacionin”.

Profesor Ramosaj u shpreh se edhe pse Kosova në tregun makroekonomik, nuk është faktori kyç i kësaj shkalle të inflacionit.

 


MË SHUME NGA Lajme