103 vite nga Kongresi i Lushnjës
Shqipëri

103 vite nga Kongresi i Lushnjës

RTSH

Në 103-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Presidenti Bajram Begaj i ka bërë thirrje politikës që të bëhet bashkë për t’u përballur me sfidat me të cilat po përballet vendi. I pranishëm në aktivitetet përkujtimore të Kungresit të Lushnjes, Begaj u shpreh se mesazhi i këtij Kongresi është aktual dhe se duhet të shërbejë si moment reflektimi.

“Kongresi i Lushnjes është një ngjarje me mjaft rëndësi historike për Shqipërinë. Është një nga momentet kyçe kur u garantua sovraniteti i Shqipërisë, u riafirmua pavarësia e Shqipërisë e shpallur në 1912. E shkuara duhet të kujtohet, jo vetëm për figurat e rëndësishme, por edhe si moment reflektimi, për të nxjerrë mësime e frymëzuar. Kongresi i Lushnjes na frymëzon, gjithë ata delegatë vunë interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme. Vendosën se është më e rëndësishme Shqipëria. Mendoj se edhe sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’u përballur, e për të frymëzuar popullin shqiptar sic frymëzoi Kongresi i Lushnjes”, tha Begaj.

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, zhvilloi punimet më 21-31 janar 1920, ndërsa miratoi Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si edhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, regjencën, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe  Këshillin Kombëtar 37 vetësh, në funksion të parlamentit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif  Pashë Elbasani. Kongresi formoi qeverinë demokratike me kryeministër Sulejman Delvinën. Konngresi i Lushnjës me vendimet e tij kombëtare i hapi rrugën Luftes çlirimtare te Vlorës dhe themelimit të shtetit shqiptar të lirë, të pavarur dhe demokratik.


MË SHUME NGA Shqipëri