Kurti takon përfaqësuesin special të Norvegjisë, diskutojnë edhe për dialog
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti takon përfaqësuesin special të Norvegjisë, diskutojnë edhe për dialog

E. Hoti/ RTKlive

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë u vlerësuan në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne S. Bjornstad dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se takimi u mbizotërua nga diskutimet për agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar, si në ekonomi, e gjithashtu ashtu edhe në siguri, me theks të veçantë për rajonin tonë.

“Në planin bilateral, Kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Norvegjisë ia ka dhënë Kosovës duke shprehur zotimin për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje në njoftim thuhet se, Bjornstad dhe ambasadori Grondahl shprehën mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe rritjen e bashkëpunimit.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua për çështjet rajonale si dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për intensifikim të tij drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. 


MË SHUME NGA Lajme