Miratohet Statuti i ri i FFK-së mes lëvdatash e polemikash
Sport

Miratohet Statuti i ri i FFK-së mes lëvdatash e polemikash

B. H. / RTKlive

(I plotësuar) Mes përgëzimesh e polemikash për punën në hartimin e draftit, delegatët e Kuvendit të FFK-së e kanë miratuar me shumicë votash Statutin e ri të këtij institucioni.

I pari i FFK-së, Agim Ademi ka lavdëruar punën e bërë nga ekipi i përzierë i FFK-së me zyrtarë nga UEFA e FIFA, teksa e ka vlerësuar Statutin e ri të kësaj federate si model për federatat e tjera.

Në fund, pas debatit të hapur, 48 delegatë i dhanë votën miratimit të Statutit të ri nga 54 të pranishëm. Delegatët e Dritës, Trepçës’89, Prishtinës dhe Gjakovës u shprehën kundër miratimit të këtij statuti, pasi sipas tyre gjatë hartimit të tij janë shkelur procedurat. Ata gjatë votimit të Statutit e braktisën mbledhjen. Në bazë të këtij statuti presidenti aktual do të ketë të drejtën të ushtrojë këtë detyrë edhe në tri mandate tjera pas vitit 2026, në rast se merr votat e delegatëve, teksa me ndryshimet e bëra është unifikuar edhe mandati i anëtarëve të KE të FFK-së, të cilët do të ushtrojnë pozitat e tyre deri në vitin 2026. Nga afër punimet e këtij kuvendi i përcollën nga përfaqësuesi i UEFA-s, Luca Nicola, përfaqësues të MKRS-së, të FSHF-së dhe KOK-ut.

Përfaqësuesi i UEFA-s, Luca Nicola në fjalimin e tij ka përgëzuar FFK-në për punën e madhe në hartimin e Statutit të ri. Ai fillimisht para delegatëve ka përcjellë përshëndetjet më të ngrohta për të gjithë komunitetin e futbollit të Kosovës në emër të Presidentit të UEFA-s, z. Aleksandër Čeferin dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, z. Theodore Theodoridis.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që jam këtu si përfaqësues i UEFA-s me të gjithë ju në Kuvendin e sotëm të jashtëzakonshëm. Ende e mbaj mend në fakt vizitën time të parë në Kosovë në kuadër të misionit të përbashkët vlerësues të UEFA-s dhe FIFA-s që i hapi rrugën pranimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Është vërtet mbresëlënëse dhe e mahnitshme të shohësh se sa larg ka arritur Federata juaj që atëherë për sa i përket zhvillimit të futbollit, por edhe suksesit sportiv. Kështu që më lejoni t'ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për të gjithë ju për këto arritjet”, ka thënë Nicola.

Ai tutje ka folur për punën e mirë që është bërë në hartimin e Statutit të ri. “Në UEFA promovojmë dhe inkurajojmë fuqishëm qeverisjen e mirë në 55 fedratat anëtare. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pune është që statutet e federatave anëtare të jenë në një linj me parimet e mirëqeverisjes si: demokracia, transparenca dhe llogaridhënia. Ne duhet që të krijojmë standardet më të larta të mundshme të mirëqeverisjes dhe institucion të besueshëm për të gjithë anëtarët. Në dhjetorin e vitit 2021 e kemi organizuar një workshop në Prishtinë ku kemi filluar diskutimet e para rreth reformave të Statutit, ndruyshimet e të cilit që sot do t’i votoni janë rezultat shkëmbim në mes të UEFA-s, FIFA dhe FFK-së që nga workshopi i parë, e sidomos intensivisht në javët e fundit. Ky Statut i ri është supozuar që të prezatohet në Kuvendin e zakonshëm të punës më vonë gjatë këtij viti, sidoqoftë për arsye të kërkesës për licencim dhe nevojës që të respektohet ajo është dashur që kjo të bëhet më herët me arsyen që futbolli të ketë një zhvillim të rrjedhshëm dhe procesi i rishikimit të Statutit është dashur të jetë i përshpejtuar. Draft-Statuti i cili sot prezantohet është i bazuar modelin e FIFA-s dhe ne e kemi përkrahur plotësisht përshtatjen e tij”, ka theksuar tutje Nicola.

Ai ka theksuar se Statuti i ri duhet të ketë disa ndryshime, për të cilat UEFA do t’i specifikojë pas këtij kuvendi me shkrim.

FIFA përgëzon FFK-në për hartimin e Statutit të ri

FIFA ka përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për përgatitjen e Statutit të ri përmes një shkrese të cilën e ka publikuar FFK. E njëjta ka theksuar që së bashku me UEFA-n kanë punuar nga afër me FFK-në për përgatitjen e Statutit, duke konfirmuar që ky draft-Statut është hap i drejtë dhe i duhur në përmbushjen e objektivës së përbashkët të qeverisjes dhe administrimit të mirë.

“Në veçanti, do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi që të ju përgëzoj për punën e bërë në përditësimin e Statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Së bashku me kolegët tonë të UEFA-s, nga afër kemi përcjellë në vazhdimësi procesin, dhe kemi besim se Statuti i ri, i cili është prezantuar për aprovim në Kuvendin tuaj sot, është hap i drejtë dhe i duhur në drejtim të përmbushjes se objektives së përbashkët të qeverisjes dhe administrimit të mirë”, thuhet ndër të tjera në letrën e FIFA-s.

FIFA ka dhënë edhe një herë rikonfirmim të vazhdimit të bashkëpunim të frytshëm në mes të FIFA, UEFA dhe FFK në të ardhmen, duke asistuar në rritjen e standardeve të qeverisjes së mirë në futboll.

Sot Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së, pritet miratimi i Statutit të ri

Federata e Futbollit e Kosovës sot do ta mbajë Kuvendin e Jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend pritet që delegatët e futbollit të miratojnë Statutin e ri të FFK-së. Në fakt, pika e vetme në rend dite në punimet e këtij kuvendi është miratimi i Statutit dhe akteve tjera normative të nevojshme.

FFK nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se Kuvendi do të mbahet sot në orën 11:00 në selinë e FFK-së, derisa do të transmetohet në kanalin e saj zyrtar në “youtube”. Sipas FFK-së, draft-Statuti është hartuar nga muaj prill i vitit të kaluar nga ekipi i përbërë prej tre zyrtarëve të UEFA-s, dy zyrtarëve të FIFA-s dhe nga komisioni i ekspertëve të FFK-së, në harmonizim të plotë me statutet e UEFA-s e FIFA-s. Për këtë Kuvend ka pasur reagime të shumta. Disa prej klubeve kanë vlerësuar se drafti i Statutit ka parregullsi, por nga FFK kanë deklaruar se ai është në përputhje të plotë me UEFA-n e FIFA-n. 


MË SHUME NGA Sport