FFK publikon shkresën e FIFA-s rreth pretendimeve të Komisionit të MKRS-së
B. H. / RTKlive
Federata e Futbollit e Kosovës në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të saj ku pritet miratimi i Statutit të saj të ri, ka publikuar shkresën e FIFA-s, në të cilën thuhet se aktualisht presidenti i FFK-së, Agim Ademi nuk i nënshtrohet asnjë procedimi ose sanksioni në lidhje me shkeljet e mundshme të FDC (Kodit Disiplinor të FIFA-s).
“Sqarim për komunitetin e futbollit dhe opinionin e gjerë, lidhur me shkresat e llojllojshme të cilat kanë qarkulluar në media dhe një nga ato shkresa nga Komisioni i licencimit të MKRS-së, gjoja se Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka të ndaluar ushtrimin e detyrës për arsye të shkeljes së Kodit Disiplinor të FIFA-s, më poshtë paraqesim shkresën zyrtare të FIFA-s. FIFA me një shkresë zyrtare sqaron dhe interpreton kodin disiplinor të saj, konkretisht nenin të cilit i është referuar ky komision i MKRS-së. Letra nga FIFA konfirmon që Presidenti i FFK-së, Agim Ademi nuk është në asnjë procedure disiplinore dhe nuk ka asnjë vendim disiplinor për ndonjë shkelje eventuale të kodit disiplinor të FIFA-s”, thuhet në njoftimin e FFK-së, ku e ka publikuar shkresën e FIFA-s.
Tutje FFK ka thënë se shpreson që në të ardhmen “lidershipi i MKRS-së nuk do të lejojë që nga institucioni i tyre të dalin shkresa zyrtare të cilat bëjnë interpretime të gabuara për të cilat nuk janë të thirrur dhe nuk kanë mandat të bëjnë një gjë të tillë”.
“FFK si gjithmonë do të respektojë rregullativat e FIFA-s, UEFA-s dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe do të mbrojë interesin e futbollit dhe pavarësisë së organizatës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq në shkresën e FIFA-s thuhet se duke iu referuar çështjes së lartpërmendur "dëshirojmë të konfirmojmë se, në përputhje me nenin 71 (3) të FIFA-s, Kodi Disiplinor (FDC), federatat do të sigurojnë që askush të mos përfshihet në menaxhimin e klubeve ose vetë federatave që është në ndjekje penale për veprime të padenjë për një pozicion të tillë ose i cili ka qenë i dënuar për një vepër penale në pesë vitet e fundit".
"E thënë ndryshe, një kufizim i tillë në përfshirjen e një individi në menaxhimin e një klubi ose federate zbatohet vetëm në rrethanat kur:
(i) ky i fundit aktualisht po ndiqet penalisht (qoftë nga autoritetet kombëtare dhe/ose publike ose nga organet sportive) në lidhje me një sjellje që do të ishte e papajtueshme me pozitën drejtuese të lartpërmendur; ose (ii) ky i fundit është dënuar për një vepër penale nga një gjykatë penale në pesë vitet e fundit. Në këtë rast, subjekt i kufizimeve shtesë që mund të jetë individi në parim, do të ishte i përshtatshëm për një pozicion të tillë drejtues pesë vjet pas dënimit. Pavarësisht sa u tha më sipër, dëshirojmë të konfirmojmë se z. Agim Ademi, kryetar aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, aktualisht nuk i nënshtrohet asnjë procedimi dhe/ose sanksioni në lidhje me shkeljet e mundshme të FDC (Kodit Disiplinor)”, thuhet në shkresën e FIFA-s.
Dy ditë më parë Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive në MKRS i kërkoi Agim Ademit pezullimin e pozitës ose shkarkimin e tij nga pozita nga KE i FFK-së. “Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive kërkon nga z. Agim Ademi që me efekt të menjëhershëm dhe përmes shkresës zyrtare ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e kryetarit të FFK-së deri në përfundimin e procedurës gjyqësore. Në rast se një gjë e tillë refuzohet nga z. Ademi, KVLFS-ja kërkon nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që me vendim zyrtar ta pezullojë z. Agim Ademin nga detyra e kryetarit të FFK-së deri në përfundim të procedurës gjyqësore për vepër penale, dhe për këtë ta njoftojë me shkrim KVLFS-në në afatin më të shkurtër kohor”, shkruan në letrën e Komisionit të MKRS-së.