Xhaçka: Shqipëria, strehë e sigurt për hebrenjtë
ATSH
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Evropë ku numri i tyre pothuajse u 10-fishua pas luftës.
Në kuadër të Ditës së Përkujtimit të Holokaustit, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua sot aktiviteti me temë, “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe holokausti”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Xhaçka u shpreh se, tradita e nisur në vitin 2013 për përkujtimin e Ditës së Holokaustit synon të mos harrojmë atë që ndodhi dhe për të mos lejuar të ndodhë sërish, për të krijuar një shoqëri më tolerante dhe që ka në qendër të saj, respektimin e të drejtave të njeriut.
“Përkujtimi i krimit makabër të shfarosjes së 6 milionë hebrenjve në kampet e përqendrimit gjatë një përndjekjeje sistematike dhe çnjerëzore, është edhe forcim i vigjilencës sonë në luftën kundër çdo forme të antisemitizmit dhe urrejtjes racore. Kjo vigjilencë është bërë edhe më jetike sot, në kohën e një lufte në territorin evropian me krime kundër njerëzimit nga një vend që duhet të ishte një nga garantët e rendit botëror, në kohën e rreziqeve të manipulimit të së vërtetës dhe të platformave sociale që po normalizojnë retorikën që dehumanizon ‘Tjetrin, të ndryshmin’’, përhap gjuhën e urrejtjes, racizmit e intolerancës, si dhe narrativa që shtrembërojnë realitetin”, tha ajo.
Prandaj, Xhaçka tha se, “na duhet më shumë se kurrë kjo mbrojtje që po i bëjmë sot vlerave të humanizmit, tolerancës, mosdiskriminimit”.
“Mbrojtja e këtyre vlerave kërkon veprim konkret. Lufta ndaj antisemitizmit dhe çdo lloj forme tjetër të racizmit kërkon qasje aktive nga qeveritë për të ruajtur kujtimin e Holokaustit dhe për të edukuar me vlerat e humanizmit dhe antidiskriminimit, në shkolla, familje dhe komunitete”, vijoi Ministrja.
Xhaçka nënvizoi se, Shqipëria, edhe në kuadrin e pjesëmarrjes në Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, ka miratuar në Kuvend përkufizimin e antisemitizmit të kësaj aleance, ka forcuar edukimin për luftën ndaj antisemitizimit në sistemin arsimor, i ka dedikuar një Pavijon në Muzeun Kombëtar shpëtimit të hebrenjve të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është duke ngritur Muzeun Hebre në Vlorë, si dhe një muze privat është tashmë në Berat.
Sipas saj, “përvoja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore tregon se çfarë mund të arrijmë kur mbrojmë vlerat njerëzore përballë racizmit dhe urrejtjes”.
“Shqiptarët ditën të ruajnë vlerat e vërteta njerëzore të popullit tonë. Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Evropë ku numri i hebrenjve pas luftës pothuajse u 10-fishua. Është me vend të kujtohet kjo histori shqiptare e shpëtimit të hebrenjve jo vetëm sepse na bën, me të drejtë e krenarë. Por edhe sepse na mëson si të mbrojmë vlerat njerëzore, si të luftojmë urrejtjen, si të luftojmë antisemitizmin”, shtoi ajo.
Xhaçka theksoi se, shembulli i shqiptarëve gjatë luftës na tregon rrugën e ndërtimit të një bote më tolerante dhe pa ndasi.
“Ky shembull frymëzon edhe veprimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria sot anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB nuk harron se menjëherë pas Holokaustit u hartua Deklarata Universale e të të Drejtave të Njeriut në mënyrë që ky tmerr të mos përsëritej kurrë më. Ne kemi vënë në qendër të punës sonë në Këshillin e Sigurimit mbrojtjen e të drejtave të njeriut si themel i bashkë-ekzistencës paqësore të popujve. Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është gjithashtu një nga prioritetet tona në Këshillin e Sigurimit”, shtoi ajo.
Ministrja theksoi se, “puna e Shqipërisë në KS bazohet edhe në përvojën tonë në kryesimin e OSBE-së në vitin 2020, gjatë së cilës i kushtuam vëmendje të veçantë çështjeve të tolerancës dhe mosdiskriminimit dhe luftës kundër antisemitizmit”.