LDK për Asociacionin:Kjo çështje është kompetencë e përgjegjësi kushtetuese
Foto arkiv/RTKlive
Lajme

LDK për Asociacionin:Kjo çështje është kompetencë e përgjegjësi kushtetuese

A.Bela/RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës është ftuar nga ambasadori i SHBA-së, që të marrë pjesë në takimin e nesërm, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.

"Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme", tbhuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë.

Ndryshe Ambasadori amerikan Jeff Hovenier nesër takohet me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin

Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm i shoqërisë civile.

Në këtë takim pritet të dëgjohen propozime nga aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, për atë se si do të duhej të dizajnohet Asociacioni


MË SHUME NGA Lajme