PDK kërkon shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë
Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
PDK vlerëson se Qeveria Kurti po e zhytë vendin në krizë. Për këtë arsye, ajo propozon shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë.
Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë dhe ka njoftuar se të martën do të propozojë amandamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa tha se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike.
Ndërsa, deputeti Ferat Shala njoftoi se PDK ka një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Shala tha se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.