Katër gazetarë afganë strehohen në Kosovë
E. Hoti/ RTKlive
Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad – janë katër gazetarët afganë që kanë mbërritur sonte në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”.
Në njoftimin e AGK-së bëhet e ditur se gazetarët afganë u mirëpritën në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“Gazetarët afganë u mirëpritën një muaj pas vendimit të Qeverisë për strehimin e tyre në Kosovë. Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për gazetarët ukrainas dhe afganë mbështetet bujarisht nga Iniciativa Hannah Arendt.
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.
Kosova po ashtu ka strehuar edhe disa gazetarë ukrainas pas pushtimit rus të Ukrainës.