Mushkolaj: Komunat e Republikës kanë të drejtë në Asociacion|Video
BKT
Lajme

Mushkolaj: Komunat e Republikës kanë të drejtë në Asociacion|Video

RTKlive

Në një draft-statut të publikuar të hënën nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

Kurse, sot, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në debatin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e kësaj ambasade, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Për të biseduar lidhur me këtë çështje në emisionin “RTK Prime” të ftuar në studio ishin Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Kushtetutës dhe Ibrahim Gashi, profesor universitar.

Gjyljeta Mushkolaj, ish- gjykatëse e Kushtetutës tha se dje u propozua një model i një drafti të statutit të Asociacionit të komunave ku komuniteti serb është shumicë, këtu terminologjia është shumë me rëndësi, sepse bazuar në terminologjinë e gabuar po nxirren përfundime tejet të çuditshme, për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Kuptohet se për këtë nuk do të ishte askush. Komunat janë nivel i pushtetit lokal në Kosovë ato janë të Republikës të Kosovës dhe në Kosovë garantohet e drejta në liri të asocimit edhe të personave juridik, rrjedhimisht edhe komunave. Komunat mund të asociohën me njëra tjetrën për realizimin e qëllimeve të ndryshme dhe nëse ato qëllime janë të ligjshme. Kuptohet se kanë të drejtë asocimi. Mendoj se debati është keqkuptua nga shumëkush”, tha postjerash Mushkolaj.

Gashi: Formimit të Asociacionit duhet t’i prijnë institucionet e Kosovës

Kurse, Ibrahim Gashi profesor universitar, tha në RTK Prime, se tani po kërkohet ky asociacion në kohë jo të mirë, kur në veri gjendja ka ndryshuar, serbët kanë dal nga institucionet e Kosovës dhe tani faktori ndërkombëtar po shihet në funksion të kësaj gjendje, përkatësisht kthimit të tyre në institucione dhe normalizimit të situatës.

“Ndoshta kjo nuk është koha më e mirë më adekuate që të bisedohet për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së asociacionit”, tha ai.

Gashi kishte edhe disa vërejtje në draftin e prezantuar dje, sepse sipas tij, duan të sforcojnë temën e Asociacionit dhe ta imponojnë këtë.

“Serbia ka arrit ta krijojë një situatë të favorshme për të, që mos të lëvizë në procesin e dialogut për të diskutuar për planin franko-gjerman, që mund të çojë te një marrëveshje përfundimtare dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve pa e bërë Asociacionin. Me gjithë respektin për organizatat tjera mendoj se Qeveria, institucionet e Kosovës është dashur që t’i prijnë këtij projekti”, tha postjerash Gashi.


MË SHUME NGA Lajme