KQZ: Votim dhe numërim elektronik në Vorë, Kamëz dhe Elbasan
RTSH
Elbasani, Kamza dhe Vora do të jenë bashkitë ku do të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet vendore të 14 majit. Lajmi u bë me dije këtë të mërkurë (1 shkurt) në seancën publike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Fillimisht ishte parashikuar vetëm Vora, por KQZ zgjeroi hartën e votimit elektronik edhe me dy bashkitë e tjera, vendim i cili vjen pas akoordimit të fondit shtesë nga Qeveria.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, KQZ-së iu akordua një fond shtesë prej 800 milionë lekë për organizimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, fond i cili do të shkonte për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në dy bashki të tjera.
Kujtojmë se në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit të kaluar, votimi dhe numërimi elektronik u aplikua në bashkinë e Vorës, ndërsa në zgjedhjet e përgjthshme të 25 prillit të 2021, u aplikua në njësinë 10 në Tiranë.