Infantino me mesazh për gjyqtarët për Kupën e Botës së Klubeve
Që nga kjo e mërkurë në Marok nis Kupa e Botës për klubet. Dhe në prag të këtij aktiviteti, shumë të rëndësishëm për Federatën Botërore të Futbollit, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë. Gjithçka lidhet me gjyqtarët dhe sistemin VAR.
“Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë tifozët e futbollit, të cilët duan të jenë edhe më të qartë mbi vendimet e gjyqtarëve. Duke parë me kujdes Kupën e Botës për klubet anëtare të FIFA-s, që nis më 1 shkurt në Marok, do të shihni një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si arbitrat do të komunikojnë vendimet e marra nga VAR”, thotë Infantino, ndërsa ka thënë fjalët e tij të para në Instagram në prag të Kupës së Botës së klubeve nëpërmjet postimit të ardhur nga FIFA.
“Për herë të parë – vazhdon Infantino – gjyqtari do të flasë direkt me tifozët në stadium dhe publikun, që është në shtëpi duke i parë ndeshjet nga televizori, e do të shpjegojë se përse është marrë një vendim i tillë. Kjo është pjesë e një prove të rëndësishme të FIFA-s, ndërsa duam që të përmirësojmë gjithmonë e më shumë qartësinë mbi VAR dhe të përmirësojmë performancë. Shpresojmë që do t’ju pëlqejë”.
E në këto kushte do të shihet se si do të shkojë kjo eksperiencë e re në këtë Botëror të klubeve, ndërsa shpresa është e madhe që mund të jetë një e re, e cila do të shihet dhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare.























