Sekretari Blinken telefonon Vuçiqin, Këshilltari Chollet takon Daçiqin
BKT
Foto: Chollet/Twitter
Lajme

Sekretari Blinken telefonon Vuçiqin, Këshilltari Chollet takon Daçiqin

J.Musliu/RTKlive

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kurse Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka pasur një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Të dy këto zhvillime kanë ndodhur paralelisht njëra me tjetrën. Derisa Chollet ka bërë të ditur se Daçiq ia ka shprehur atij gatishmërinë e Serbisë për dialogun me Kosovën, Sekretari Blinken ka thënë se e ka falënderuar presidentin Vuçiq për angazhimin konstruktiv me ekipin e SHBA-ve dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit franko-gjerman.

“Bisedova me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq sot për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin SHBA-BE javën e kaluar dhe për qasjen e hapur të tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë.” - ka shkruar Blinken në Twitter.

Ndërkohë, Chollet ka deklaruar se në vazhdimësinë e telefonatës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ai pati takim, që siç e quajti ai, “ të mrekullueshëm” me ministrin e Jashtëm serb Daçiq.

“Rikonfirmuan  miqësinë e kahershme SHBA-Serbi dhe i shpreha mbështetjen për angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përpjekjet për të promovuar paqe/siguri më të madhe në rajon.”  ka deklaruar Chollet.

Deklarime të tilla bëhen në kohën kur mbi kosovën është shtuar presioni për formimin e Asociacionit kurse Serbia ka deklaruar se e pranon planin franko-gjerman, që në mënyrë eksplicite nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por Kosovës i mundësohet anëtarësimi në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar dhe njohjen nga Serbia të subjektivitetit të vendit.


MË SHUME NGA Lajme